Zef BUSHATI/ Presidenti Amerikan Obama takohet në Vatikan me Papa Françeskon

501
Sigal

Takimi i parë midis dy personaliteteve Botërorë, Barack Obama udhëton drejt Vatikanit dhe takohet me Papa Franceskon

Mbrëmjen e 26-të Prillit mbërriti në Romë Presidenti Amerikan Barack Obama. Masa maksimale të sigurisë. Takime me Papën Francesko, Presidentin e Republikës Giorgio Napolitano dhe Kryeministrin Matteo Renzi. Obama arriti në Romë nga Brukseli, ku udhëheqësit e BE-së diskutuan rreth sanksioneve ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina. Gjithashtu, Presidenti Amerikan Obama, foli në Hagë gjatë takimit ndërkombëtar mbi sigurinë bërthamore. Presidenti i SHBA-ve, ditën e djeshme hyri në Vatikan rreth orës 10 e 15min, i shoqëruar nga një kortezh i gjatë makinash, ndërsa zona pranë Shën Pjetrit ishte blinduar nga policia. Në Oborrin e Shën Damazit, kreun e Shtëpisë së Bardhë e priti z.Genshvajn, Prefekt i Shtëpisë Papnore. Së bashku me Obamën edhe kreu i diplomacisë amerikane, Xhon Kerri, që në Janar 2014 pati takuar Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, me të bisedoi Obama, pas audiencës me Papën. Biseda private në Vatikan, mes Obamës dhe Papa Françeskos, zgjati 50 minuta. Përveç momenteve ceremoniale pati dhe buzëqeshje spontane. Takimi përfundoi me një shtrëngim duarsh të ngrohtë. Është hera e parë, që këto dy personalitete botërore takohen. Vizita e parë e Obamës në Vatikan është ajo e korrikut 2009, gjatë së cilës u prit nga Benedikti XVI. Papa Françesko e priti Barack Obamën me thjeshtësinë që e karakterizon, ndërsa presidenti amerikan u përgjigj: “Faleminderit, është mrekulli që ju takoj”. Në çastin e bisedës private ndërmjet të dyve, të pranishëm ishin vetëm përkthyesit e të dy palëve. Më pas, ceremonia e shkëmbimit të dhuratave dhe paraqitja e anëtarëve të delegacionit amerikan në takimin e tyre me Atin e Shenjtë. “Lutuni për mua dhe familjen time, rrini me mua në këtë udhëtim”, mësohet t’i ketë thënë Presidenti Amerikan Barack Obama, Papa Françeskos, duke kujtuar se në vizitën e tij të mëparshme në Vatikan u shoqërua nga bashkëshortja e tij dhe vajzat. “Është e mrekullueshme që u njohëm, është një nder i madh, unë jam një admirues i madh i juaji”, u shpreh Presidenti. Papa Françesko e përshëndeti atë duke i thënë në anglisht: “Mirë se vini, zoti President”. Papa i dha Obamës një kopje të “Evangeli Gaudium”, një dokument që përfaqëson manifestin e tij papnor. “Ju e dini, se unë kam shumë mundësi që do ta lexoj këtë libër në Zyrën Ovale. Kur unë të jem me të vërtetë i lodhur dhe unë jam i sigurt se do të më japë forcë dhe do të më qetësojë”. Papa Françesko i ka dhuruar Obamës edhe një medaljon me një engjëll të paqes dhe solidaritetit. Presidenti Amerikan nga ana e tij i ka dhuruar Papës një kuti lëkure që mbante fara nga kopshti i Shtëpisë së Bardhë. Një pjesë, i tha Obama, Papa Françeskos, janë për ju, pjesa tjetër të dhurohet si një vepër bamirësie për nder të Shenjtërisë tuaj. “Nëse ju keni mundësi për të ardhur në Shtëpinë e Bardhë, mund ta vizitoni këtë kopsht”. Papa u përgjigj në spanjisht:”Pse jo”! Edhe Sekretari i Shtetit Amerikan, John Kerry, duke i dhënë dorën Atit të Shenjtë i tha: “Është një kënaqësi për t’u takuar me ju, unë jam një admirues i madh i juaji edhe si katolik”. Presidenti Amerikan Barack Obama, pas takimit me Papën, u ngjit në Pallatin Quirinal për një takim me Presidentin e Republikës, Giorgio Napolitano. Të dy shkëmbyen një shtrëngim duarsh të gjatë, i pasuar nga një takim i zgjeruar ku ishin të pranishëm për SHBA-në, Sekretari i Shtetit John Kerry dhe Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Susan Rajs. Për Italinë Ministria e Punëve të Jashtme, Federica Mogherini dhe disa këshilltarë të Presidentit Napolitano. Pas takimit me Napolitanon, Presidenti i SHBA-ve u takua me Kryeministrin italian, Matteo Renzi. Më pas, rreth orës 17:00, Presidenti Amerikan Barack Obama vizitoi Koloseun. Presidenti Amerikan Barack Obama, gjatë një interviste në “Corriere della Sera” ndër të tjera tha se: “Unë besoj që Shtetet e Bashkuara dhe Europa mund të bëjnë më shumë duke punuar së bashku për të përmirësuar kushtet e prosperitet të përbashkët dhe të sigurisë. Unë jam i bindur se presidenca italiane në BE, që do të fillojë në verë, ka për t’i arritur këto qëllime. Kjo është ajo që kemi diskutuar në Hagë me Kryeministrin, Matteo Renzi. Unë me të vërtetë besoj se ai do të jetë në gjendje të realizojë një periudhë shumë të frytshme gjatë të cilës Italia do të ketë këtë lidership të rëndësishëm”.