Zbulohet plani, si do veprojë SHBA nëse Koreja e Veriut vijon kërcënimet me testet bërthamore

510
Pak ditë pasi Koreja e Veriut demonstroi forcën ushtarake në 105 vjetorin e lindjes së themeluesit të vendit dhe po përgatitet për të kryer testin e radhës bërthamor, është zbuluar edhe plani i SHBA se si do veprojë nëse Pheniani vijon me kërcënimet bërthamore.
Duke iu referuar burimeve të brendshme nga ushtria amerikane, ‘The Guardian’ shkruan se ushtria amerikane po konsideron goditjen në fluturim të raketës, në testin e ardhshëm të Koresë së Veriut, si një mënyrë për t’i treguar forcën Phenianit.

Sipas “The Guardian” Pentagoni po kërkon mënyra që nuk sjellin luftë për t’i bërë presion Koresë së Veriut, që të mos kryejë teste raketash dhe sidomos testin e 6 bërthamor. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, ka informuar Kongresin për këtë opsion, por ushtria ende nuk ka vendosur që të rrëzojë raketën koreano-veriore kur të ngrihet në fluturim.

Analistët shkruajnë se administrata “Trump” e ka paralajmëruar shumë qartë Korenë e Veriut që të mos bëjë provokime, megjithëse rrëzimi i një rakete duket një akt i tepruar dhe mund të konsiderohet si akt lufte nga Koreja komuniste.

Kjo e fundit, pavarësisht kërcënimeve, u zotua se do të vazhdojë pa u shqetësuar testet e raketave. Ekspertët paralajmërojnë se askush nuk e di sesi do të reagonte udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong-un ndaj rrëzimit të mundshëm të raketës së tij në testim, por një gjë është e sigurtë: ai nuk do të pranojë të shfaqet si i dobët dhe kjo implikon shumë pasoja negative.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës veç ndërhyrjes së saj po shqyrtojnë edhe mundësinë që të bindin Japoninë të rrëzojë raketat koreano-veriore, që zakonisht përfundojnë në ujërat e ishullit të samurajve.

“Ne do të kryejmë shumë teste të raketave në baza javore, mujore dhe vjetore”, tha pak ditë më parë zëvendës-Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut Han Song-ryol John Sudëorth për BBC-në.
Sigal