Zbardhet ngjarja – Arrestohet autori i vrasjes së të riut shqiptar në Itali katër ditë më parë

569
Policia italiane ka arrestuar gjatë natës vrasësin e shqiptarit Ilir Berisha 24 vjeç, i cili u qëllua për vdekje natën duke u gdhirë data e 15 shtatorit në provincën e Monzas.

Viktima ishte në shoqërinë e një miku të tij po shqiptar i cili ka rrëfyer për autoritetet italiane se janë qëlluar me armë zjarr ndërsa po qëndronin me makinën e tyre përballë një lokali nate.

Ilir Berisha ka ndërruar jetë në spitalin e Desios për shkak të plagëve të marra në gjoks.

Vrasësi i Ilir Berishës është po shtetas shqiptar, 33 vjeç e banues në komunën Seregno.

Autoritetet italiane po hetojnë për zbardhjen e plotë të motivit të kësaj vrasje të përqëndruar në aktivitetin ilegal të shfrytëzimit të prostitucionit, ku ishin përfshirë si viktima ashtu dhe autori i krimit.

Viktima Ilir Berisha e miku i tij ndodheshin në Itali prej pak kohësh me qëllim ushtrimin e aktivitetit të shfrytëzimit të prostitucionit.

Motivi i vrasjes ka të bëjë më kontrollin e shfrytëzimit të vajzave prostituta në rrugët e komunës së Novedrates në provincën e Komos.

Killeri 33 vjeçar shqiptar u arrestua në komunën Courmayeur ndërsa po tentonte të largohej nga territori italian drejt Francës. Arma e krimit nuk është gjetur e mendohet se autori e ka hedhur në lumin Seveso.
Sigal