Zbardhet axhenda jo zyrtare e senatorit McCain në Tiranë, me kë u takua dhe mesazhet që dha

568
Axhenda e senatorit amerikan, John McCain në Tiranë nuk ishte vetëm ajo që u njoftua zyrtarisht. Më 14 prill ai takoi në kryeqytetin shqiptar presidenten e zgjedhur të Këshillit Kombëtar të Rezistencës iraniane Maryam Rajavi, me të cilën diskutoi për zhvillimet e fundit në Iran, ndërhyrjen e regjimit klerik në Lindjen e Mesme dhe perspektivat për të ardhmen e rajonit.

Përpara takimit, senatori Mccain vizitoi një prej qendrave të Organizatës Popullore e muxhahedinëve të Iranit në Tiranë, ku takoi anëtarë të saj, të cilët u zhvendosën në Shqipëri nga Kampi i Lirisë në Irak.

Senatori Mc Cain i uroi muxhahedinët për transferimin e suksesshëm nga Iraku dhe përmendi sakrificat e tyre

“Nuk ka asnjë dyshim që njerëzit në këtë sallë kanë vuajtur, kanë humbur edhe të dashurit e tyre për shkak të tiranisë iraniane. Ju keni rezistuar, keni luftuar dhe keni sakrifikuar veten tuaj për hir të lirisë, që të jetoni të lirë, për ardhmërinë tuaj dhe për të drejtën që Zoti ua ka dhënë…”,- mësohet të ketë thënë Mc Cain.

Teksa i shprehu ngushëllimet për viktimat e tiranisë së mullahëve, Mc Cain falenderoi qeverinë shqiptare që ka pranuar strehimin e muxhahedinëve. Sakaq, i tha zonjës Rajavi se një ditë Irani do të jetë i lirë dhe se ata do të mblidhen në sheshin e lirisë në Teheran.

Gjatë takimit presidentja e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, Rajavi ka falenderuar senatorin Mc Cain për përpjekjet e tij në mbështetje të transferimit të sigurt të anëtarëve të rezistencës jashtë Irakut.

“Sot ka një konsensus mbi rolin destruktiv të regjimit klerikal në rajon dhe të fashizmit fetar në pushtet në Iran, i cili është burimi kryesor i luftës, terrorizmit dhe krizës në Lindjen e Mesme. Për sa kohë që regjimi klerik është në pushtet nuk do të ndalojë se eksportuari terrorizëm dhe fundamentalizëm”,- tha ajo.
Sigal