Zarfi bombë ndaj ish-kryeministrit grek kaloi dy kontrolle sigurie

458
Ish-kryeministri i Greqisë, Lucas Papademos ka marrë plagë të shumta, por jo të rrezikshme për jetën, si rezultat i një shpërthimi brenda makinës së tij.

Shpërthimi ndodhi kur Papademos po hapte një zarf, i cili sipas të gjitha gjasave kishte brenda lëndë eksplozive.

Zona ku ndodhi shpërthimi, fare pranë sheshit ‘Omonia’, u bllokua që në momentin e parë nga policia. Ekspertë të shërbimit antiterror po “krehin” një rreze të gjerë, për të gjetur shenja që do t’i ndihmojnë në zbardhjen e atentatit.

Sipas burimeve të shtypit, edhe pse zarfi kishte kaluar në dy kontrolle sigurie, nuk kishte rezultuar i dyshimtë.

Ndërsa vlerësimet e para sugjerojnë se zarfi bombë ka ngjashmëri me ato që u dërguan dy muaj më parë, në zyrën e ministrit gjerman të financave, Wolfgang Schauble dhe në selinë e misionit të FMN-së në Paris.

Atëherë përgjegjësinë e kishte marrë organizata guerrile greke, Komploti i Celulave të Zjarrit.

Ende nuk ka një marrje përgjegjësie për atentatin ndaj ish kryeministrit Papademos.
Sigal