Zaev: Po përgatitet ligji për gjuhët

584
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev bëri sot të ditur se Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur projekt-ligjin për përdorimin e gjuhëve, që parasheh avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe. Zoti Zaev tha se askush nuk humbet me këtë ligj dhe gjithkush ka të drejtë ta ndiejë Maqedoninë si të veten.
Një nga kushtet kryesore të partive shqiptare për të marrë pjesë në koalicionin qeveritar ishte pikërisht përdorimi i gjerë ose zyrtarizimi i gjuhës shqipe në këtë vend.
Kryeministri maqedonas Zoran Zaev konfirmoi të mërkuren se ligjii për gjuhët po përgatitet në Ministrinë e Drejtësisë dhe se qeveria pret ta miratojë atë para zgjedhjeve vendore në vjeshtë. Kështu është emëruar projekt-ligji për shkak të gjuhës shqipe, që në të vërtetë nuk figuron në kushtetutën e Maqedonisë si e tillë, por si gjuha të cilën e flasin të paktën njëzet përqind e popullatës së një komune apo në shkallë vendi.
Zoti Zaev tha se me miratimin e këtij ligji nuk humben votat as të qytetarëve maqedonas e as të atyre shqiptarë. Ai shtoi se gjithkush ka të drejtë për barazi në shoqëri dhe që ta ndiejë Maqedoninë si të veten.
“Nuk bëjmë kalkulime, nuk kemi paragjykime, ndryshimet e ligjit për përdorimin e gjuhëve do t’i bëjmë së shpejti”, theksoi kryeministri Zaev, duke shtuar se kjo çështje nuk i përket vetëm BDI-së, Lëvzjes “Besa”, apo partive të tjera shgqiptare, por edhe Lidhjes Social Demokrate dhe qytetarëve maqedonas.
Ai tha se kjo qeveri synon përmes vendimeve t’i mbyllë çështjet e hapura dhe jo t’i mbajë ato të fshehura. Kryeministri maqedonas bëri të ditur se projekt-ligji do t’i dërgohet Komisionit të Venecies dhe ekspertëve evropianë.
Nga ana tjetër, partia VMRO-DPMNE, mbështetësit e së cilës protestuan për më tepër se dy muaj kundër avancimit të gjuhës shqipe dhe asaj që ata dhe media maqedonase e njohin si platforma e partive shqiptare, apo edhe e Tiranës, së fundmi ka zbutur qëndrimet, duke thënë se partia nuk është kundër gjuhës shqipe dhe se dëshiron të ketë një qasje të re pozitive ndaj shqiptarëve.
Partitë shqiptare në Maqedoni duan që shqipja të ngritet në gjuhë të dytë zyrtare në vend.
BDI-ja, Lëvizja për Reforma, Partia Demokratike Shqiptare dhe Uniteti janë takuar sot me nismën e Rilindjes Demokratike Kombëtare, për të diskutuar mbi kërkesat shqiptare të përfshira në deklaratën e janarit të këtij viti. Takimin e ka bojkotuar Lëvizja “Besa”, drejtuesit e të cilës nuk duan të ulen në një tryezë me BDI-në rivale.
Sigal