Zaev në Sofje, Borisov kundër federalizimit të Maqedonisë: Gruevski të dorëhiqet

459
Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, është shprehur se vendi i tij nuk e mbështet federalizimin e Maqedonisë, por këmbëngul se kryeministri aktual, Nikolla Gruevski duhet të japë dorëheqjen dhe në Maqedoni të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike.
 Pasi priti në vendin e tij liderin e opozitës maqedonase, Zoran Zaev, Borisov i bëri thirrje klasës politike maqedonase të gjejë një zgjidhje europiane për krizën që ka kapur vendin.

“Ne mendojmë se kriza politike duhet të zgjidhet në mënyrë demokratike. Ne jemi kategorikisht kundër çdo deklarate për federalizim të Maqedonisë. Nuk do ndërhyjmë në punët e brendshme të Maqedonisë, por na shqetëson ajo që atje ka krizë politike, edhe atë në kufirin tonë, një komb që është më afër Bullgarisë”

Ndërkohë, takimi i liderëve të partive politike, i paralajmëruar për të hënën e ardhshme, është shtyrë për ditën e martë, ndërsa është konfirmuar se në Shkup do mbërrijë vetëm eurokomisioneri për zgjerim Johanes Hahn dhe jo eurodeputetët Eduard Kukan, Ivo Vagël dhe Riçard Houit, ndërsa palët do të takohen në rezidencën e ambasadorit të Bashkimit Europian Aivo Orav.
Sigal