Xhavit Haliti: Mesazhi i Amerikës në Kosovë, ndikoi në krijimin e koalicionit të ri qeverisës

582
Sigal


Intervista: Nënkryetari i Parlamentit të Kosovës Xhavit Haliti mesazh grave mos të dorëzohen. Partive politike të respektojnë kuotën gjinore në strukturat e larta shtetërore . 

Në katër vitet e ardhshme Kosova do të qeveriset nga koalicioni qeverisës i dy partive më të mëdha në vend LDK dhe PDK, së bashku me komunitetet jo shumicë. Po ashtu, Qeveria e  Kosovës  do të punojë për zhvillimin ekonomik dhe mbi këtë bazë do të fokusohet në forcimin e sektorit privat, tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe krijimin e sa më shumë vendeve të reja të punës. Pak ditë pas krijimit të qeverisë së re, Nënkryetari i Parlamentit të Kosovës, Xhavit Haliti, në një intervistë për gazetën “Telegraf”, ka parashtruar synimet që duhet të përmbushë ky koalicion, për të arritur standardet dhe reformat e domosdoshme për krijimin dhe funksionimin sa më të shpejtë të  Gjykatës Speciale, anëtarësimin e Kosovës në BE, OKB dhe NATO. Kosova deri tani ka arritur108 njohje nga shtetet anëtare të OKB-së dhe në këtë mënyrë ka arritur qëllimin për të pasur më shumë se 100 vende që njohin Kosovën. Arritja e këtij synimi do të fuqizojë Kosovën si një anëtare e plotë dhe e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare dhe do të jetë një kontribut i rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Haliti mendon se Kosova tani do të  përballet me shumë sfida dhe rendit shtyllat kryesore ku duhet të përqendrohen institucionet përkatëse.

Z. Haliti, më në fund, 6 muaj pas zgjedhjeve, Kosova do të udhëhiqet nga një qeveri e re. Presioni ndërkombëtar dhe deklarata e fundit e Ambasadores amerikane Tracey Ann Jacobson ndikoi ndjeshëm në krijimin e koalicionit të ri qeverisës?  

Fillimisht, ju falënderoj që më dhatë mundësinë që përmes gazetës suaj, t’i uroj edhe një herë punë të mbarë qeverisë së re, për të mirën dhe përparimin e Kosovës dhe të mbarë qytetarëve të saj. Grindjet politike që pasuan pas zgjedhjeve të 8 qershorit, mendoj se tashmë nuk kanë fushë veprimi. Krijimi e legjitimimi i vonuar gjysmëvjetor i institucioneve bazë politike të shtetit, i Kuvendit dhe i qeverisë, nuk kanë qenë rrjedhojë e mangësive kushtetuese e ligjore, por e ambicieve të politikanëve për pushtet politik. Aleanca paszgjedhore, e njohur si “Blloku”, e krijuar pa u bërë certifikimi i rezultatit zyrtar të zgjedhjeve të 8 qershorit, me kërkesat e saj, binte ndesh me Kushtetutën. Pretendimet e saj antikushtetuese, siç edhe kam deklaruar vazhdimisht, u hodhën poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Gjashtë muaj ishin të mjaftueshëm që politika e Kosovës të reflektonte e të vepronte për të zgjidhur ngërçin politik paszgjedhor, edhe me ndikimin e faktorit ndërkombëtar, që është ndjeshëm i pranishëm në jetën tonë shtetërore. Mesazhi i ambasadores së SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, për dhënien fund të ngërçit, ndezi llambat e alarmit tek krerët e politikës sonë dhe sigurisht që ndikoi në krijimin e koalicionit të ri qeverisës. Kosovën e kanë ndihmuar, e ndihmojnë dhe do ta ndihmojnë miqtë tanë të mëdhenj, të cilëve u jemi dhe do t’u jemi mirënjohës përherë. Por, të mos harrojmë: Kosova mund dhe do të bëhet dinjitoze vetëm nga ne, qytetarët e saj.

Në qeverinë e  re nga 21 ministra vetëm dy janë femra. Pse ky mosvlerësim për femrën?

Në qeverinë e re kemi dy ministre, por uroj që të bëhen dhjetë. Politika dhe partitë tona, në përgjithësi, duhet të angazhohen më tepër për afrimin dhe afirmimin e femrave në strukturat e larta partiake e shtetërore. Duke përjashtuar diskriminimin pozitiv për referencë gjinore, uroj që femrat mos të dorëzohen por të përpiqen më shumë, të garojnë dhe të fitojnë.

Tani para Kosovës paraqiten shumë sfida, por cilat do të jenë prioritetet urgjente që duhen zgjidhur me përparësi?

Kosova aktualisht përballet me shumë sfida. Institucionet dhe mekanizmat përkatëse shtetërore të sapoformuara ose në proces, kanë detyrimin dhe të drejtën të bëjnë seleksionimin e tyre për të përcaktuar radhën e zgjidhjes. Unë mund të them sot vetëm mendimin tim për problemet që duhen zgjidhur me përparësi: Së pari, është miratimi i buxhetit, faktori themelor për ekonominë, për jetesën e mbarë qytetarëve të Kosovës. Së dyti, është rifillimi, vazhdimi dhe implementimi i arritjeve të derisotme të marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë në Bruksel. Së treti, është krijimi i gjithë infrastrukturës ligjore për krijimin dhe vënien në funksion të Gjykatës Speciale. Së katërti, është shndërrimi i FSK-së në FAK dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB, NATO dhe BE.

Lëvizja “Vetëvendosja”  dhe AAK kanë akuzuar më herët Kadri Veselin për të kaluarën e tij në krye të SHIK-ut. Sipas jush, një njeri që ka udhëhequr këtë institucion të rëndësishëm, nuk duhet të jetë në krye të Kuvendit të Kosovës? A nuk ju duket herët për të pasur këtë vend, duke qenë se kjo është legjislatura e tij e parë si deputet?

Përgjigja e kësaj pyetje relativisht të gjatë, më duket se gjendet në vetë parashtrimin e saj. Lëvizja “Vetëvendosja” dhe AAK-ja, që u rikujtuan tani për akuzën e mëhershme ndaj Kadri Veselit për të kaluarën e tij, kanë pasur mjaftueshëm kohë dhe mundësi që të paktën ta largojnë shqetësimin përmes gjyqësorit. Ringritja e akuzës pas 5-6 vjetësh më duket se nxitet dhe i shërben më shumë politikës partiake.

A do të jetë e vështirë rruga për formimin e një stabiliteti dhe një qeverisjeje të përgjegjshme në mënyrë që të implementohen reformat e domosdoshme?

Në këta 6 muaj të boshllëkut institucional, jam deklaruar disa herë publikisht për domosdoshmërinë e një qeverisjeje të qëndrueshme në Kosovë. Kam thënë se nuk mund të ketë qeverisje të mirë, në qoftë se për çdo seancë të Kuvendit duhet të vraposh pas deputetëve për të bërë numrat e nevojshëm. Nuk mund të ketë institucione të fuqishme e funksionale, nëse para çdo mbledhjeje të qeverisë duhet t’i thërrasësh kryetarët e partive të ministrave në koalicion, që të merresh vesh për vendimet që duhen marrë. Stabiliteti i qeverisjes demokratike varet nga mbështetja e sigurt e votës së të zgjedhurve, që kur numerikisht është e madhe garanton miratimin në Kuvend dhe të ligjeve të guximshme reformuese të qeverisë për t’i shërbyer vendit. Koalicioni aktual qeverisës, në mbështetjen e pjesëmarrjen edhe të partive të pakicave, ka disponimin, angazhimin, por dhe mundësinë vepruese e realizuese për reformat e domosdoshme për të mirën e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Në programin e qeverisë, a do të renditet edhe forcimi i sektorit privat për të tërhequr sa më shumë investitorë të huaj, kryesisht nga Italia, pasi ende ekziston një disbalancë e thellë tregtare, përsa i përket shkëmbimeve midis dy vendeve?.

Për politikat ekonomike të qeverisjes së sotme, e kam të vështirë të parashikoj dhe të gjykoj. Por brenda programit partiak, që është formuluar dhe synon ndërtimin e demokracisë në Kosovë, jo vetëm besoj, por deklarohem i bindur se në programin aktual të qeverisë, forcimi i sektorit privat të ekonomisë do të jetë prioritet. Kjo nuk kushtëzohet nga dëshirat e liderëve, apo të lobeve politiko-ekonomike, mbështetja dhe fuqizimi i sektorit privat është gurthemeli i tregut të lirë, pra bazamenti i ngritjes dhe funksionimit normal të demokracisë shtetërore.

Dhe së fundi, mund të na thoni se cili ka qenë kontributi juaj personal në këto zgjedhje?

Më falni, por për kontributin tim personal në këto zgjedhje dëshiroj të mos përgjigjem. Mund t’i pyesni të tjerët. Kurrë nuk kam guxuar të vlerësoj botërisht veten. Për fund, do të theksoja se është lajm i mirë që BE-ja kërkon firmosjen e MSA-së. Sikurse, që është lajm i mirë që Brukseli kërkon dhe mirëpret dy mediatorët, ish- kryeministra, në takim për të normalizuar raportet Kosovë–Serbi. Nga qeveria e re, nuk shpresoj, por besoj në arritjen e këtyre synimeve. Koalicioni aktual qeverisës ishte zgjedhje reale në këtë kohë. Ta lëmë të fillojë dhe të veprojë.

Mimoza Haxhiaj