WikiLeaks: NSA ka përgjuar zyrtarët evropianë për dy dekada

81
Agjencia amerikane e Sigurisë Kombëtare (NSA) në mënyrë sistematike pothuajse për dy dekada ka përgjuar zyrtarët evropianë, theksohet në dokumente të reja të publikuara nga WikiLeaks, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dokumentet konfidenciale të quajtura “Përgjimi Evropian” zbuluan spiunazhin shumëvjeçarë të zyrtarëve gjermanë dhe francezë, duke përfshirë edhe këshilltarë të kancelares gjermane Angela Merkel, dhe shumë biznesmenë.
Një nga dokumentet e para të publikuara përfshin diskutimet reciproke të zyrtarëve gjermanë në lidhje me krizën në Greqi në vitin 2011.
Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange, ka thënë se: “Dokumentet e publikuara tregojnë spiunazhin ekonomik amerikan, i cili përfshin edhe Gjermaninë, disa institucione të rëndësishme të Bashkimit Evropian (BE), Bankën Qendrore Evropiane dhe krizën në Greqi.”
Ueb faqja Wikileaks ka publikuar edhe 69 numra të telefonit që kanë përdorur apo vazhdojnë t’i përdorin zyrtarët gjerman, dhe të cilat NSA i ka përgjuar.
Publikimi i dokumenteve më të reja erdhi në kohën e ndërprerjes së hetimeve të përgjimit të dyshuar të Angela Merkel, dhe siç theksoi Assange, informatat e përmbledhura gjatë përgjimit kanë ndihmuar SHBA-të të kthejnë partnerët evropianë nga plani i zgjidhjes së krizës në Greqi të cilin e kanë propozuar anëtarët e BRICS, Brazili, Rusia, India, Kina dhe Republika e Afrikës Jugore.
“Dokumentet e publikuara tregojnë se Britania e Madhe kishte ndihmuar Shtetet e Bashkuara në spiunazhin me fokus në Evropën. SHBA-të duhet të jenë tronditur me komplikimet në planin gjeopolitik. Pyetja është nëse do të kthehet Bashkimi Evropian tani planit të BRICS-ut për Greqinë”, theksoi Assange.