Washington – Shefi i FBI-së do të dëshmojë në senat

452
Shefi i FBI-së, James Comey, pritet të dëshmojë ditën e sotme përpara Komisionit të Inteligjencës në Kongresin amerikan, teksa do të japë qëndrime zyrtare në lidhje me dy cështje mjaft të ndjeshme: siç janë akuzat e përgjimeve që ka lëshuar Presidenti Donald Trump në drejtim të paraardhësit të tij në detyrë, Barak Obama, si dhe ndërhyrjet e mundshme që mund të ketë patur gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale nga ana e Rusisë.

Ende nuk dihet se çfarë kanë arritur të zbulojnë hetuesit, por mediat amerikane duke cituar burime konfidenciale shkruajnë se Comey do të hedhë poshtë deklaratat e lideri aktual i Uashingtonit për Barak Obamën. Gjithmonë referuar të njëjtave burime, raportohet se nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se dicka e tillë ka ndodhur gjatë administratës së shkuar.

Një tjetër cështje e ndjeshme mbetet cështja e ndërhyrjes ose jo të Rusisë në zgjedhje.

Në muajin janar, agjensitë amerikane të inteligjencës bënë të ditur që kishin dyshime se emailet e disa zyrtarëve të lartë të partisë demokrate kishin rënë pre e sulmeve kibernetike nga piratë kompjuterikë që mendohet të jenë sponsporizuar nga Rusia.

Megjithatë, pritet të shihet se cfarë qëndrimi do të mbajë James Comey ditën e sotme, në seancën e jashtëzakonshme të komisionit kongresional.
Përveç shefit të FBI-së, dëshmi do të ketë edhe Admirali Mike Rogers, i cili është drejtuesi i Agjensisë së Sigurisë Kombëtare.

Këto dy çështje kanë shkaktuar debate të ashpra në Shtetet e Bashkuara, ndaj deklaratat e dy zyrtarëve të lartë të inteligjencës do të priten me mjaft interes.
Sigal