Vuçiç pritet me protesta në Kosovë: “Kërko falje për krimet e luftës!”

463
Sigal

Vizita e kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vuçiç në Kosovë pritet me protesta të organizuara nga shoqëria civile e sidomos studentët, të cilët me pankarta në duar kërkojnë që Vuçiç të kërkojë falje për krimet e luftës në Kosovë. 

Sipas mediave kosovare aktualisht në komunën e Stërpcës po zhvillohet një protestë simbolike me iniciativë të studentëve dhe intelektualëve të rinj. 

Edhe në Mitrovicë është grisur një nga billbordet e vendosura në shenjë mirëseardhje, një ditë para vizitës së kryeministrit serb. Nuk dihen autorët e këtyre akteve, ndërsa billbordet ishin vendosur në nëntor të vitit të kaluar, kur ishte paralajmëruar vizita e tij në këtë qytet më 14 dhjetor. 

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç viziton sot Republikën e Kosovës për herë të parë pas zgjedhjeve në Serbi. Ai do të qëndrojë në Graçanicë, Shtërpc dhe Pasjan, i shoqëruar nga një delegacion me një sërë ministrash. 

Lidhur me vizitën e Vuçiç kanë reaguar dhe familjet e të zhdukurve të Kosovës të cilët e kanë vlerësuar vizitën e tij si një provokim të rëndë. Ata janë shprehur të indinjuar që vizita e kryeministrit të Serbisë cilësohet si humanitare ndërkohë që ai nuk ka bërë asgjë për zbardhjen e krimeve të luftës dhe fatin e 1653 të zhdukurve gjatë genocidit të forcave ushtarake serbe në Kosovë. 

Shumë qytetarë janë shprehur se do ta presin kryeministrin serb me flamuj kombëtarë e do t’i kërkojnë të mbajë përgjegjësi për krimet e luftës.


Ja axhenda: 

10.30 – Përurimi i Klinikës Gjinekologjike në Pasjan(është parashikuar deklaratë për media)

11.40 – Vizitë në komunën e Shtërpcës, takim me përfaqësuesit lokal në sallën e Kuvendit komunal dhe një fjalim para qytetarëve para ndërtesës së komunës.

12.50– Vizitë në Graçanicë , takim në ndërtesën e komunës me kandidatin për kryetar nga lista “Srpska” Vlladeta Kostiç dhe ish-kryetarin e deritanishëm të kësaj komune Branimir Stojanoviç.

13.30– Zbulimi i përmendores të mbretit Millutin në Graçanicë dhe një fjalim para qytetarëve.

14.10 –Vizitë në manastirin e Graçanicës dhe takim me patrikun Teodosije.

14.40 – Graçanicë, takim me kryetarët e komunave me shumicë serbe, ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës dhe me deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës.