Vuçiç: Nuk e njohim pavarësinë e Kosovës, s’kemi plane për luftë

550
Sigal

Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por as nuk do të nxisë luftë e konflikt në Kosovë, ishin mesazhet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ua transmetoi qytetarëve serbë të tubuar në Mitrovicën Veriore.

Fjalimin e tij, Vuçiç e mbajti në përmbyllje të vizitës dyditore në pjesën veriore të Kosovës. Aty, u prit nga një numër i konsiderueshëm i qytetarëve serbë, ndërkohë që qyteti ishte përplot me fotografi e pankarta që i dëshironin mirëseardhje Vuçiqit.

“Ua them, se ata që deklarojnë se unë duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës deri në fund të vitit, ju garantoj se kjo është gënjeshtër”, tha Vuçiç. Sipas tij, krejt për çka ai po angazhohet është një zgjidhje kompromisi dhe zgjidhje paqësore.

“Kur u thonë se dua ta ndryshoj kufirin, nuk po ua thonë të vërtetën”, tha Vuçiç, duke shtruar më pas pyetjet, sipas tij plotë dilema –“ku është kufiri sot?”.

“Në fakt, unë dua t’i ndryshoj të drejtat e juaja dhe t’ua mundësojë të gjitha drejtat që u takojnë në botën e qytetëruar”, nënvizoi ai.

Vuçiç tha se ka sjellë me vete plane konkrete për investime në dhjetë komunat e Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Se kur do të arrihet marrëveshja me shqiptarët, theksoi ai, kjo nuk mund të dihet. Por, nuk e përjashtoi mundësinë që diku pas një kohë, qoftë edhe pas 50 vjetësh, serbët dhe shqiptarët të jetojnë në fqinjësi dhe miqësi me njëri-tjetrin.

“Nuk është vizioni im për një Kosovë pa shqiptarë apo edhe më keq, një Kosovë pa serbë”, tha Vuçiç, duke tërhequr vërejtjen se vizioni i tij nuk mbështetet në mite, por në realitet.

Ai rikujtoi edhe fundvitet e 80-ta dhe vitet e 90-ta kur kishte nisur dhe më pas ishte shpartalluar ish-Federata Jugosllave dhe fjalimet e zjarrta të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviç.

“Kënduam, kush po thotë e kush po rren, që Serbia është e vogël”, tha Vuçiq.
Kjo këngë dhe plotë mitingje, sipas tij, u mbajtën në Knin të Kroacisë, në Sarajevë apo edhe në Prishtinë. Por, sot, si në Knin, ashtu edhe në Sarajevë e Prishtinë, nga një numër i konsiderueshëm, jetojnë vetëm qindra apo mijëra serbë. Para 30 vjetësh, theksoi ai, në Kosovë kishte tri herë më shumë serbë, sesa që ka sot. Andaj, ai tha se angazhohet për paqe dhe në asnjë mënyrë për luftë.

QYTETARËT IA BLLOKOJNË RRUGËN VUÇIQIT
Ndryshe, dita e dytë e vizitës së presidentit serb, ka nisur ditën e dytë të vizitës së tij në pjesën veriore të Kosovës, me një shëtitje në lagjen e quajtur “Lugina e Diellit”, që përfshinë një projekt të Qeverisë së Serbisë për ndërtimin e 300 shtëpive për kthimin dhe strehimin e rreth 1 mijë e 500 banorëve serbë të zhvendosur.

Ndërkohë, njëri prej lokaliteteve në agjendën e Vuçiçit, vizita në Banjë të komunës së Skenderajt nuk është realizuar pasi që një grup qytetarësh shqiptarë nga kjo komunë kanë bllokuar rrugën.

Shoqatat e dala nga ish-strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga kjo komunë, të mbështetura edhe nga politikanë lokalë atje, kanë ftuar qytetarët që të dalin në rrugë që nga orët e mëngjesit, për t’i pamundësuar Vuçiçit të shkojë në fshatin Banjë.

Duke iu përgjigjur kësaj ftese, qytetarët kanë bllokuar rrugën, duke vënë pengesa të ndryshme për të pamundësuar qarkullimin.

Thirrjeve për protestë u janë bashkuar asamblistë dhe përfaqësues politikë nga kjo komunë.
Edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se Vuçiç nuk mund të kalojë përmes rajonit të Drenicës, pa kërkuar falje për krimet e bëra nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit.

“Janë 15 mijë të vrarë nga lufta, 1600 persona të zhdukur, janë 128 persona të zhdukur nga komuna jonë, kështu që me plotë të drejtë po e kundërshtojmë vizitën e tij. Vizita e tij është një provokim dhe ringjallje e viteve të 98-ta dhe 99-ta”, tha Jashari.