Sigal

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se do të kërkonte garanci nga Bashkimi Evropian që Serbia të bëhej anëtare e Unionit në vitin 2025, pas marrëveshjes me Kosovën fqinje, e cila do të hapte rrugën e të dyja shteteve për t’u anëtarësuar në BE.

“Nëse arrijmë ndonjëherë një marrëveshje (me Prishtinën), Serbia do të duhet të marrë garanci të qarta se do të bëhet vend anëtar i BE në vitin 2025,” tha Vuçiçi në një intervistë për Reuters.

Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, braktisën papritmas një takim ballë për ballë në Bruksel të premten e kaluar, ku pritej të diskutohej për herë të parë një plan për shkëmbimin e territoreve.

Vuçiç tha se mund të zgjasë deri në 10 vjet për të arritur një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës për shkak të dallimeve të shumta në qëndrimet e tyre.

“Ndonjëherë buzëqesh kur dëgjoj se si njerëzit i thjeshtësojnë gjërat dhe thonë se mund të biem dakord për marrëveshje- unë do t’ju jap tre fshatra dhe do të marr gjashtë fshatra (në këmbim),” tha ai.

“Nëse do të kishim ndonjëherë një marrëveshje (me Prishtinën) do të ishte një marrëveshje e përgjithshme që do të përfshinte jo vetëm marrëdhëniet midis nesh dhe shqiptarëve në Kosovë, por gjithashtu do të duhej të përfshihej një rezolutë për rrugëtimin tonë drejt BE-së dhe përparimin e mëtejshëm ekonomik“, tha ai.

Vuçiç tha se fushata për zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Evropian në maj dhe rritja e popullaritetit të partive politike të krahut të djathtë në Evropë mund të errësojnë perspektivat e arritjes së një marrëveshjeje midis Beogradit dhe Prishtinës.