Vuçiç i kërkon Tsipras të mos votojë për Kosovën në UNESCO

49
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i kërkoi homologu grek, Alexis Tsipras, që vendi i tij të mos votojë për pranimin e Kosovës në UNESCO.
Zyra për media e Vuçiçit njofton se dy kryeministrat kanë biseduar sot përmes telefonit.
“Përfaqësuesit e dy qeverive kanë diskutuar për të gjitha çështjet rajonale, sidomos për Kosovën. Kryeministri Vuçiq e ka lutur kryeministrin Tsipras që Greqia të mos votojë për pranimin e Kosovës në UNESCO”, thuhet në njoftimin që e transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Vuçiç dhe Tsipras kanë biseduar edhe për krizën me migrantë, si dhe për marrëdhëniet ekonomike dhe politike midis dy vendeve.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, ndërsa dhjetëra shtete kanë shprehur tashmë përkrahjen për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës nga Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s.
Vendimi përfundimtar pritet gjatë këtij muaji.
REL