Vuçiç: Brukseli më kërkoi të pranoja anëtarësimin e Kosovës në OKB

532
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka pranuar se Brukseli i ka bërë presion të pranojë bashkimin e Kosovës me Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në një intervistë për mediat serbe, Vuçiç është ndalur edhe në dialogun me Prishtinën, teksa ka ritheksuar faktin se çdo ndryshim në formatin e bisedimeve do të kërkojë pëlqimin e Serbisë.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç është shprehur se Brukseli i ka kërkuar të pranojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në një intervistë për gazetën serbe ‘Novosti’, Vuçiç është pyetur për presionet që Serbia merr nga faktori ndërkombëtar sa i përket çështjes së Kosovës.
Vuçiç: “Presioni më i madh vjen nga Brukseli. Më kërkuan të pranoj anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që policia rajonale të përputhet me numrin e banorëve në 7 komunat në veri, që do të thotë 68% shqiptarë dhe 32% serbë. Unë nuk i pranova këto kushte komuniste dhe propozova që forca policore rajonale në veri të Kosovës të jetë 90% serbe. Ata nuk e pranuan dhe aty filluan kërcënimet.”
Sa i përket deklaratës së kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj se ai nuk do të marrë pjesë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli për çështjen e Kosovës pa prezencën e Shteteve të Bashkuara, presidenti Vuçiç u shpreh kështu:
Vuçiç: “Me aq sa ne dimë, Bashkimi Europian është ndërmjetësuesi kryesor. Edhe pse ne e respektojmë rolin e Shteteve të Bashkuara, çdo ndryshim në formatin e dialogut do të kërkonte përgjigjen dhe pëlqimin e Serbisë.”
Vuçiç gjithashtu u ndal edhe në reagimet e ndërkombëtarëve pas incidentit të trenit serb në Mitrovicë, duke thënë se ngjarja u përdor si justifikim për të sjellë policinë dhe forcat speciale në veri.
Sipas Presidentit, është e drejta e Serbisë të mbrojë popullin e vetë dhe si rezultat asnjë forcë kosovare apo shqiptare nuk është vendosur në veri.
Sigal