Vret veten djali i Fidel Castros

133
Djali i Fidel Castros ka vrarë veten në shtëpinë e tij në Havana sipas medias shtetërore kubane. 68 vjeçari Fidel Ángel Castro Díaz-Balart, i cili u gjet i vdekur të enjten në mëngjes, kishte disa muaj që trajtohej nga mjekët për shkak të depresionit.
Djali i parë i ish liderit kuban ishte një fizikant bërthamor i trajnuar nga ish-Bashkimi Sovjetik. Ai drejtoi programin bërthamor të Kubës nga 1980 në 1992, përpara se të pezullohej pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik.
Fidel Castro Diaz-Balart lindi gjatë martesës së shkurtër të babait të tij me Mirta Diaz-Balart, vajzën e një politikani të njohur para revolucionit. Pjestarë të familjes së nënës së tij u bënë figura të shquara në komunitetin anti-Kastro në Florida.
Kushëriri i tij Mario Diaz-Balart është një kongresmen amerikan. Kohët e fundit ai ishte këshilltar shkencor për Këshillin e Shtetit Kuban dhe shërbeu si nënkryetar i Akademisë së Shkencave të Kubës.

Babai i tij, Fidel Castro, figurë revolucionare dhe një nga udhëheqësit politikë që ishte për një kohë të gjatë në pushtet u nda nga jeta më 26 nëntor të 2016 në moshën 90 vjeçare.