Vrau boshnjakun në Austri, kapet në Gjermani shqiptari

577
Sigal

Një 31-vjeçar shqiptar është arrestuar dy ditë më parë nga Policia gjermane në Dyseldorf, pasi ishte shpallur person në kërkim për një vrasje të ndodhur në fillim të këtij muaji në Salzburg të Austrisë.

Mediat gjermane shkruanin dje se shtetasi shqiptar quhet Klodi, mbiemri nuk i bëhet i ditur dhe është nga Tirana. Ai kërkohej nga autoritetet e austriake që prej datës 4 qershor, kur para një restoranti në Salzburg u vra një 46-vjeçar boshnjak dhe u plagos djali i tij 26 vjeç.

Ky i fundit ka qenë duke festuar ditëlindjen e të birit, kur u konfliktua me shtetasin shqiptar, që sipas mediave gjermane, dyshohet se kanë qenë në gjendje të dehur.

Aktualisht, 31-vjeçari nga Tirana po mbahet në paraburgim në Dyseldorf dhe ende nuk dihet se kur do të kryhet ekstradimi i tij drejt Austrisë.

ARRESTIMI

“Një shtetas shqiptar u arrestua në Dyseldorf, pasi qëlloi për vdekje me pistoletë 46- vjeçarin boshnjak me një pistoletë ‘Glock’, 9 mm, që u gjet nga një kalimtar.

Gjykata e Salzburgut kishte kërkuar arrestimin e shtetasit shqiptar para rreth një jave.

Sipas Policisë së Dyseldorfit, 31-vjeçari ra në grackën e Policisë dy ditë më parë dhe gjatë momentit të arrestimit, ai nuk ka bërë rezistencë.

Momentalisht ndodhet në paraburgim dhe ende nuk dihet se kur do të ekstradohet. Ende nuk dihet shkaku i kësaj ngjarjeje. Kundër shqiptarit ka dy akuza: vrasje dhe vrasje e mbetur në tentativë. Kur është marrë në pyetje nuk ka dhënë shpjegime në lidhje me ngjarjen”, shkruanin dje mediat gjermane.

NGJARJA

Vrasja për të cilën akuzohet shtetasi shqiptar me emrin Klodi ka ndodhur më 4 qershor të këtij viti dhe është raportuar nga një 24-vjeçar boshnjak, që ka qenë duke festuar ditëlindjen e djalit të tij në oborrin e shtëpisë. Shtetasi shqiptar ka shkuar aty në gjendje të dehur dhe e ka ngacmuar 24-vjeçarin.

Ky i fundit ka thirrur babanë e tij 46 vjeç. Shtetasi shqiptar ka marrë pistoletën dhe në fillim i ka qëlluar 24-vjeçarit e më pas babait të tij. Sipas mediave gjermane, i dyshuari ka qëlluar dy herë në drejtim të babë e bir.

Të riun e ka goditur plumbi në kofshë dhe e ka kaluar rrezikun për jetën, ndërsa babai i tij ka mbetur i vdekur në vend nga një plumb në gjoks.

Në lidhje me këtë ngjarje, Policia austriake pati arrestuar edhe një 34- vjeçar shqiptar më 14 qershor, disa ditë pas krimit, i cili fillimisht u dyshua se kishte marrë pjesë në krim. Ndërsa si autor kryesor të dyshuar për ngjarjen shpalli në kërkim 31- vjeçarin me emrin Klodi, i cili u arrestua të hënën në Dyseldorf.

Tri ditë pas ngjarjes, Policia austriake publikoi një fotografi të një arme të ngjashme me atë të krimit, e cila më pas u zbulua nga një kalimtar pranë vendit ku ndodhi ngjarja.

Disa ditë më vonë, pas një krahasimi të armës në Zyrën Federale të Hetimeve Penale, rezultoi se pistoleta tip “Glock”, 9 mm, ishte pikërisht arma e krimit. Më 14 qershor, Policia arrestoi një 34-vjeçar shqiptar në një kafene në lagjen nr.15 në Vjenë, i dyshuar si pjesëmarrës në ngjarje.

Më 16 qershor ai u transportua në Salzburg dhe një ditë më vonë u arrit identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes, pas ekzaminimit të pistoletës.

“Po kërkojmë një 31-vjeçar shqiptar, i lindur në kryeqytetin Shqipërisë, Tiranë”, njoftonte Policia austriake.