Votohet mocioni i mosbesimit, bie qeveria e Isa Mustafës

527
Kuvendi i Kosovës ka votuar mocionin e mosbesimit dhe ka rrëzuar qeverinë e Kosovës.
Tre partitë opozitare VV, AAK e Nisma e kanë shprehur mbështetjen e tyre për ta votuar rrëzimin e Qeverisë, ndërkaq partneri i koalicioni qeverisës PDK nuk ka dhënë qëndrim konkret nëse do ta votojë atë, duke deklaruar se vendimin e tyre do ta bëjnë të ditur në seancën e sotme.

Janë 42 deputetët të cilët kanë dhënë nënshkrimin e tyre për thirrjen e seancës për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës, Valdete Bajrami, i ka ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë mocionin e iniciuar nga partia e saj.

“I ftoj deputetët e Parlamentit të Kosovës ta votojnë mocionin e mosbesimit kundrejt kësaj Qeverie. Falënderoj të gjithë deputetët që e kanë përkrahur këtë iniciativë”, ka thënë Bajrami në fund të fjalës së saj.

MUSTAFA: MOCIONI, PAMFLET POLITIK PA ARGUMENTE
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar para deputetëve se mocioni i mosbesimit është një pamflet politik, pa asnjë bazë argumentuese.

Ai këtë e quan një tendencë që dobësitë, e keqpërdorimet që sipas tij janë krijuar nga qeverisjet e kaluara përfshirë edhe nga disa individë që e kanë nënshkruar këtë peticion t’i ngarkohen kësaj qeverie.

“Vlerësoj që peticioni ka për pasojë destabilizimin e vendit përmes krijimit të mosbesimit në institucione dhe ka për qëllim fshehjen e adresave të përgjegjësve të aferave korruptive e aferave milionëshe që i janë shkaktuar këtij vendit. Faktet janë të tjera nga to që jepen në mocion”, u shpreh Mustafa në fjalimin e tij, shkruan Express.

Më tej ai e lartësoi punën e qeverisë duke thënë: “Ne jemi vendi me rritjen më të madhe ekonomike në rajon, me policinë më të mirë në rajon e sukseset më të mëdha të luftës kundër terrorizmit dhe vendi më i suksesshëm në vitin e fundit në menaxhimin e migrimit”.
Sigal