Votim për rrëzimin e Thaçit, të martën rezoluta kundër rishikimit të kufirit

518
Sigal

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të martën në një seancë të jashtëzakonshme. Partitë e opozitës kanë propozuar një rezolute kundër rishikimit të kufijve, propozim ky i presidentit Hashim Thaçi.

Partitë e opozitës në Kosovë do të tentojnë të martën në seancën e jashtëzakonshme të parlamentit të bllokojnë nismën e presidentit Hashim Thaçi për rishikimin e kufijve me Serbinë.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, për mediat theksoi se debati në Kuvend do të ketë vetëm një rend dite.

“Proceduralisht, kemi vepruar në bazë të një kërkese të deputetëve. Do ta kemi seancën e jashtëzakonshme nesër me një pikë të rendit të ditës. Sa i përket komenteve politike, do t’i themi nesër ato për arsye se e kemi seancën”, u shpreh Veseli.

Kryetari i grupit parlamentar të LDK, ftoi deputetët e opozitës dhe të mazhorancës të votojnë rezolutën.

“Unë pres që nesër mbështetja për këtë rezolutë të planifikuar për t’u aprovuar të mbështetet nga të gjitha grupet parlamentare, pa përjashtim, të opozitës dhe koalicionit qeverisës sepse është në të mirë të qytetarëve të vendit.Është informatë e mirë dhe qëndrim i mirë që u dërgohet miqve tanë ndërkombëtarë, që na kanë ndihmuar të vijmë deri në këtë pikë, që vullneti i qytetarëve të shprehet përmes deputetëve të Kuvendit. Mbi të gjitha, është sinjal i qartë për presidentin e vendit se ai duhet të ndalet me veprimet e tij anti-kushtetuese”, u shpreh Hoti.

Në datën 7 shtator është parashikuar takimi për dialogun final mes Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij serb Aleksander Vuçiç.

Diskutimi do të zhvillohet në Bruksel, ku temë kryesore është korrigjimi i kufijve nën drejtimin e shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.

Demarkacioni nënkupton gjithashtu dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës prej Beogradit zyrtar.