Volker Bouffier: “Paga” në 4 muaj e azilanëve, sa e 3 viteve në vendet e origjinës

446
Kryeministri i landit të Hessenit në Gjermani Volker Bouffier ka dhënë një deklaratë për televizionin ARD, ku ka folur në lidhje me situatën e azilkërkuesve në Gjermani. Deklarata e tij ka ngjallur jo pak reagime në shtypin gjerman.
Sipas tij shtimi i numrit të azilkërkuesve ka ardhur si pasojë e rritjes së stimujve nga shteti gjerman, i cili u jep atyre 150 euro në muaj. Ai mendon se nëse pagesat sociale do të ktheheshin në ndihma materiale, do të zvogëlohej numri i personave që linin vendet e tyre për të ardhur në Gjermani.
Bouffier ka bërë një përllogaritje të thjeshtë dhe ka dalë në përfundimin se të ardhurat që marrin shqiptarët në Gjermani, në 4 muaj, veçanërisht mësuesit, janë më shumë se fitimet e 3 viteve të mbledhura së bashku në vendin e tyre.
Volker Bouffier u shpreh se pritja dhe strehimi i refugjatëve është sfida më e madhe për landin e Hessenit në vitet e ardhshme, ku atyre u duhet të ndërtojnë një plan të mirë menaxhimi në lidhje me gjetjen e banesave sociale për azilkërkuesit. Edhe pse në këtë land ka mjaft kazerma të boshatisura nuk do të thotë se ato janë të gjitha në dispozicionin e azilkërkuesve.
Ndërkohë sindikata e policisë gjermane ka dënuar sulmet ksenofobe ndaj azilantëve duke i bërë thirrje parlamentit të ndalojë të gjitha demonstratat përpara vendstrehimeve të azilantëve.
Sulme të tilla si ai i Dresdenit ku u godit me gurë një ndërtesë azilantësh duhet të parandalohen menjëherë, u shpreh sindikata.
Shënjestër e demostruesve ka qenë edhe deputeti i partisë së majtë Michael Richter. Në orët e para të mëngjesit të së hënës , makina e Richter shpërtheu përpara shtëpisë së tij. Sipas policisë, shpërthimi erdhi nga një sasi e vogël eksplozivi e vendosur në automjet. Për fat të mirë nuk pati njerëz të lënduar. Autoritetet gjermane mendojnë se ky sulm erdhi si pasojë e mbështetjes së Richter për shtimin e shtëpive për azilkërkuesit në qytetin e Frietalit.
Sigal