VMRO kushtëzon zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me zgjedhje të reja

450
Partia e ish-kryeministrit të Maqedonisë Nikola Gruevski ka kushtëzuar zhbllokimin e zgjedhjes së kryetarit të ri të parlamentit. VMRO-DPMNE thotë se do t’i hapë rrugë votimit vetëm besë kryetari i ri garanton shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. 

Gjatë seancës së djeshme, e cila sërish u dominua nga akuza dhe kundër akuza, deputetët e partisë së Gruevskit kërkuan që platforma shqiptare të vlerësohet në zgjedhje nga qytetarët.

“Nëse na jepni garanci se do të shpërndani sot Kuvendin, po sot edhe ne zgjedhim kryetarin. Platformën që përfaqësoni ju e ka pranuar LSDM. Por nëse merrni këtë mbështetje edhe në zgjedhje nga qytetarët, VMRO-DPMNE nuk do të bëhet pengesë, do të pranojë rezultatin”, deklaroi Ilija Dimovski nga kjo parti.

Por, LSDM ka dyshimet e saj. Ajo mendon se zgjedhjet e reja nuk garantojnë që presidenti Gjorge Ivanov nuk do të bllokojë sërish formimin e Qeverisë, duke kërkuar në këtë situatë zhbllokim të menjëhershëm të procesit, zgjedhjen e kreut të ri të Kuvendit dhe vazhdimin e proceseve demokratike.

“Sa u takon zgjedhjeve të reja, ato janë totalsiht të mundura, por që kjo të ndodhë duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit. Ju i bllokoni zgjedhjet. Kërkuat shumicë në komision, kërkuar kryetar të Komisionit dhe tani kërkoni kryetar të Kuvendit. Doni të qeverisni duke pasur pakicën”, tha Damjan Mançevski i LSDM.

Maqedonia ndodhet në krizë të thellë politike që pas zgjedhjeve të dhjetorit të cilat nuk prodhojnë maxhorancë. Partia fituese e zgjedhjeve VMRO DPMNE nuk arriti të formojë qeverinë, kurse LSDM si partia e dytë është bllokuar nga presidenti Ivanov, i cili nuk mandaton kreun e saj Zaev si pasojë e platformës shqiptare të cilën e konsideron antikushtetuese.
Sigal