Vjedhje si nëpër filma në Berlin, arrestohen disa persona

75
Policia gjermane arrestoi disa persona në Berlin gjatë kontrolleve në apartamentet e tyre, si pjesë e hetimit për vjedhjen spektakolare të një monedhe të madhe ari, nga një muze në qytet.

Mësohet se, si pjesë e operacionit u sekuestrua një makinë, ku u gjetën një thikë dhe një maskë. Personat e arrestuar dyshohet se janë hajdutët që hynë në muzeun “Bode” në mars dhe vodhën monedhën gjigante prej ari të pastër 24-karatësh.

Gjethja e madhe e panjës është një monedhë prej ari që peshon 100 kg, e prodhuar nga Kanadaja. Gjithsej u prodhuan 5 të tilla në vitin 2007 dhe janë të shpërndara në muze të ndryshëm. Vlera e njërës prej tyre llogaritet në 4.1 milionë dollarë, shtysë mjaft e madhe për ta vjedhur.

Policia gjermane tha se, pavarësisht arrestimeve, nuk mundi të gjejë monedhën e vjedhur, të cilën beson se hajdutët e kanë shkrirë dhe më pas shitur. Hetuesit thanë gjithashtu se ende nuk e kuptojnë sesi hynë hajdutët në muze, pavarësisht xhamave antiplumb dhe alarmeve të shumta.