Vitore STEFA LEKA/ Ngjarja me mbresa dhe emocione të jashtëzakonshme në Kosovën tonë

517
Sigal

Reportazh/ Tre vjet nga dita që, delegacioni ynë shoqëroi projektin e “Sheshit të Paqes Tempullin e Lirisë Nenë Tereza”, që ju dhurua Kosovës martire

Fluturimi i parë drejt tokës së ndaluar, tokës së mohuar, tokës së bekuar, aq shumë e ëndërruar! 1 Maj 2001! E sot? O Zot! Do ta shikoja dhe prekja me duar!

Emocionet e fuqishme më kishin rrëmbyer që tre ditë më parë, kur arkitekti Z.Umberto Trenta, nëpërmjet telefonit, më njoftoi ftesën për në Kosovë. Një drithërimë më kishte pushtuar të tërën, sa që s’jepja dot përgjigje…. Zëri i ngrohtë nga ana tjetër e telefonit.
Ti duhet të vish patjetër-më shkundi nga vlugu i hutimit dhe fillova ta falënderoja arkitektin, fillova të flas e të flas dhe asgjë nuk mbaj mend se çfarë fola veç di se më zunë ca si ethe ..Jo vetëm nga fakti se do merrja pjesë në një mision të shenjtë, por nga fakti se do të shkoja në Kosovë. Ah! Kosova! Dikur e ndaluar dhe në ëndërr ta shihnim! Kosova ëndërrbardha ime e përditshme, që nga fëmijëria! Kosova -toka ime e ndaluar “Jashtë shtetit!” Një herë, shumë vite më parë, një shoqe më tha se do të shkonte jashtë shtetit. Në atë periudhë ishin të rrallë ata që dilnin jashtë shtetit dhe natyrisht ishin njerëzit e zgjedhur të regjimit në fuqi. Ah, i them -lum ti që do shohësh botën me sy, po ku kështu?
Në Kosovë, më thotë. Do të bashkëpunojmë me Universitetin e Prishtinës. Më kujtohet si tani , që m’u drodh shpirti kur ajo e quajti “jashtë shtetit” vajtjen në tokën e saj. “Jashtë shtetit” në tokën tënde, ku bukës i thonë bukë si ti, ku ujit i thonë ujë, ku nënës i thonë nënë, e babës -babë. Sigurisht dhe nga mendja i hoqa këto mendime, jo më të kisha kurajën t’ia  thosha shoqes. Kosovën e njihja që nga fëmijëria, nga të vërtetat që na tregonte nëna ime e dashur, Mësuesja e Popullit Eleni Stefa, sidomos kur na tregonte për vëllain e gjyshit tim Gjergj Stefen, deputet që mori pjesë në Lidhjen e Prizrenit, sot i dekoruar nga Kuvendi Popullor. Më vonë më lidhën gjëra të tjera me Kosovën, gjëra personale. Lufta dhe tmerri që ndodhi me këtë popull më lidhi akoma më shumë, duke komunikuar e ndihmuar brenda mundësive të mia sa e sa nga këta bij nënash e familjarë. Secili kishte tragjedinë e vet, që unë së bashku me të tjerët, e sidomos me qendrat bamirëse dhe me organizatat joqeveritare-humanitare, u munduam t’ua lehtësojmë dhembjet sado pak. Shumë nga ata janë kthyer, po miqësia vazhdon nëpërmjet letrave. Shumë ftesa vijnë, por u jepet gjithmonë e njëjta përgjigje: Më vonë.. Në një rast tjetër ..do vij patjetër.. Jepen këto përgjigje, sepse të gjithë e dimë, që jeta në mërgim ka vështirësitë e saj, jo të pakta, kështu që shumë dëshira, mbeten vetëm dëshira, por kësaj here … Ja! Zëri i ëmbël dhe melodioz i Mimozës:
Vitore, i nisa ftesat me fax merre tënden te Masruri! Është pra Mimoza (Kallfa) Ahmeti, njëra nga gratë e mrekullueshme që kam njohur, me shpirt krijues, humanitare, patriote dhe njëkohësisht me shpirt sakrifice. Kjo mërgimtare që banon në Ankona, pjesën më të madhe të kohës ja kushton mërgimtarëve dhe është kryetare e shoqatës shumëkombëshe  “Cittadini del Mondo” (Qytetarët e botës). Atje edhe u njoh me arkitektin Umberto Trenta , i cili është zëvendes kryetar i shoqatës, si dhe me sekretaren Simona Tosti. Për Mimozen kisha dëgjuar  nga kryesia e bashkimit të shoqatave shqiptare dhe pastaj u lidhem në koordinim të veprimtarive, sidomos gjatë luftës në Kosovë, në manifestimin e organizuar në atë kohë, në përkrahjen e ndërhyrjes së NATO-s kundër hordhive kriminele serbiane Moza u bë një figurë sa e njohur aq dhe e dashur për të gjithë. Pastaj miqësia vazhdoi nëpërmjet internetit, një miqësi e njohje virtuale, ku zbuluam se kishim shumë gjëra dhe mendime të përbashkëta, plus lidhjen që na krijoi poezia, të cilën unë e quaj “mbrtëresh e shpirtit”. Me këte rast falënderoj nga zemra dhe i jap mijëra urime Prof Engjëell Koliqit, i cili mobilizoi “të papunët”, duke na lidhur nëpërmjet internetit me qendrën informatike kulturore shqiptare “Albeuropa” kështu në një kohe rekord u vunë në lëvizje mbi 500 anëtarë, nga të katër anët e rruzullit, kudo ku punon merr frymë e jeton gjaku ynë. Midis ne krijuesve lindi edhe miqësia. Kështu ndodhi dhe me Albana Melyshin, që rri në Nju Jork. Për një kohë të gjatë poezitë e Blerta Tiranës ngjallën një kënaqësi të veçantë dhe kuriozitet, sidomos te rinia jonë studentore, këtu në Trieste. Më vonë, kur Albana më dërgoi librin historik dhe tragjik “Fëmijëri e përgjakur” morëm vesh se prapa çapkënes lozonjare Blerta Tirana fshihej Albana! Kështu vazhduam njohjet e lidhjet me Kolec Traboinin, Beqir Sinë, Petraq Palin, Kadri Osmanin, Shefqet Dibranin, Sare Gjergjin, Albert Ramaj, Merita Bajraktarin, Ilir Malindin, Zef Ahmetin, Ilirjana Koliqin, e sa e sa të tjerë. Me profesor Engjëllin qëndruam pranë gjithë periudhën e luftës. Që në muajin e parë, e vazhdimisht , ai nuk mungoi asnjëherë së qeni i pranishëm në mesin e mërgimtarëve, si dhe nëpër bashkësitë shqiptare, anembanë Italisë  prania dhe fjala e tij kurajuese mbërriti dhe këtu në Trieste. Në fillim vetëm, pastaj i shoqëruar dhe me personalitete si Joseph DioGuardi dhe zonjën e tij Shirli (Themelues dhe udhëheqës i Ligës Qytetare Shqiptaro -Amerikane), me vëllezërit Kuzhnini (themelues dhe Z. Simon sot është president i Lidhjes Shqiptare në Botë) si dhe me personalitete ialiane dhe të organizatave ndërkombëtare që veprojnë këtu. Në këtë kohë kam qenë në të gjitha këto takime dhe aktivitete me prof Engjëllin dhe unë, e pata fatin t’i kem dhe për drekë në shtëpinë time Z.Joe me Zonjën Shirli, së bashku me prof. Engjëllin. Kurse darkën e kaluam nëpërmjet shoqërimit të Z. Masrur Iman, laureat i disa çmimeve ndërkombëtare si dhe nobelist në artin e pikturës italiane, i cili ka ndihmuar shqiptarët që nga viti 1990 dhe vazhdon t’i ndihmoj dhe tani. Me Zotin Masrur, nëpërmjet internetit është njohur dhe Znj. Mimoza dhe u krijua lidhja e bashkëpunimit të ngushtë Trieste-Ankona dhe nëpërmjet lidhjeve të vazhdueshme, si me internet dhe telefona, edhe zotit Umberto ju afrua një mundësi e re për të njohur më thellë e më mirë realitetin shqiptar. Kështu pra, u krijuan rrethanat dhe erdhi momenti që të diskutohej më gjerë projekti i arkitektit Umberto Trenta, për të cilën Mimoza  kishte dijeni prej kohesh. Ajo i propozon Z.Umberto që projektin me të cilin ai kish mbrojtur diplomën në universitet më 1975, ta emërojë Sheshi i Paqes, unë më vonë shtova dhe fjalinë tjetër “Tempulli i Lirisë” dhe më vonë nga Don Lush Gjergji dhe Arkitekti, u pagëzua “Sheshi i Paqes Tempulli Lirisë “Nënë Tereza”. Ata vendosën të vijnë së bashku në Trieste për ta diskutuar me piktorin famoz Z. Masrur Imani, këtë çështje në lidhje me projektin dhe idenë që kishte hedhur Moza. Më 19 tetor 200 u bënë një rrugë e dy punë. Njohja fizike  ndërmjet nesh dhe ajo më kryesorja, vendimi për konkretizimin dhe realizimin e projektit të Umbertos.