Viktor Kaspruk/ Rusinë e mundon kompleksi i inferioritetit

440
Sigal

Nëse Putini “nuk e kupton” se sa e rrezikshme është kjo situatë, atëherë drejtuesit e partisë qeverisëse, duhet të shpëtojnë Rusinë nga katastrofa e tmerrshme që e pret

Viktor Kaspruk është politolog, analist, gazetar për problemet ndërkombëtare dhe publicist i mirënjohur ukrainas. Është lindur në Kiev në vitin 1955. Analizën në vijim e ka përkthyer dhe përgatitur për gazetën “Telegraf”, Prof. dr. Eshref Ymeri. Titulli i analizës është i përkthyesit.

 Çdo gjë që bën Vladimir Putini në Ukrainë dhe në arenën ndërkombëtare, nuk është politikë, është aventurë, e cila mund të sjellë për të një fund të vajtueshëm. Është për të ardhur keq që ai nuk nxori asnjë mësim nga përvoja e diktatorit libian Muhamar Kadafi. Konferenca e shtypit e Vladimir Putinit “ishte për t’u gëzuar”. Ja tezat e tij kryesore: “autoritetet ukrainase nuk janë të ligjshme (përveç Parlamentit, ai është pjesërisht i ligjshëm), opozita nuk i plotësoi kushtet e marrëveshjes së 21 shkurtit, në Ukrainë nuk ka kurrfarë demokracie dhe dëshmi e dukshme dhe e drejtpërdrejtë e kësaj është shpërndarja e Gjykatës Kushtetuese, në momentin e tanishëm nuk mund të bëhet fjalë për zgjedhje në Ukrainë, përforcimi në kohën e duhur i mbrojtjes së objekteve ushtarake të Federatës Ruse e uli në mënyrë të theksuar tensionin në Krime, mundësia për të futur trupat ekziston, por nuk është e nevojshme. Kurse si gjë kryesore duhet theksuar se Rusia, me këtë shtet, dokumente nuk ka firmosur dhe tani të gjitha marrëveshjet paraprake me Ukrainën nuk janë më në fuqi”. Putini është gënjeshtar. Në konferencën e shtypit të datës 4 Mars, presidenti i Federatës Ruse hodhi teza të pavërteta.

Po të merret për bazë logjika e Putinit, sipas së cilës Rusia me “këtë” shtet nuk paska firmosur kurrfarë dokumentesh, atëherë rezulton që flota e Detit të Zi e Federatës Ruse u ndodhka në “këtë” territor në mënyrë të jashtëligjshme, kredi “ky” shtet nuk paska marrë, kurse për gazin tashmë nuk u dashka të paguajë asgjë. Por, po të vazhdohet me përfundimet “logjike” të Putinit, atëherë përfundime të tilla mund të vlejnë në të dyja drejtimet: Kaliningradi, një herë e një kohë, iu aneksua një vendi krejt tjetër, Siberia qe pushtuar nga një vend krejt tjetër, kurse tokat ku është ngritur Peterburgu, duket t’i kthehen Suedisë ose Finlandës. Po kaq “të vërteta” tingëllojnë pohimet e Putinit, sipas të cilit “vetëmbrojtja” e Krimesë diku i paskësh blerë si shtesë edhe uniformat, edhe pajisjet e plota të trupave speciale, përfshirë edhe modifikimet më të fundit të automatikut Kallashnikov. Ajo sillet rrotull me transportues të blinduar dhe shpërndan pasaporta ruse. Ajo, “vetëmbrojtja”, pra, bllokon repartet ushtarake, pushton ndërtesa parlamenti dhe të Këshillit të Ministrave, aerodrome, shtabe dhe pika kufitare, fluturon me aeroplanë dhe helikopterë luftarakë, shfrytëzon vazhdimisht targat e makinave ushtarake ruse dhe s’pyet për ndonjë kundërgoditje nga ana e trupave të Ukrainës. Duket sheshit që këto të gjitha do të tingëllonin si diçka qesharake, sikur mos të të ngjallnin kaq trishtim.

Një njeri i moshuar, shtatshkurtër, me duar që i dridhen nga emocioni dhe me sy të papërqendruar, i veshur me një kostum serioz dhe i ulur në një kolltuk jo më pak serioz, të gjitha këto gjëra na i rrëfen me një pamje serioze. Jo, ky nuk është Çemberleni dhe madje as Llojd Xhorxhi. Ky është një njeri, pranë të cilit ka fluturuar një jetë e vërtetë, duke trumbetuar dhe shkëlqyer me flatra të lustruara. Këtij njeriu nuk mund t’ia kesh frikën. Ai nuk është i gatshëm të përgjigjet për gabimet veta. Mbreti paska qenë lakuriq. Ai është bërë qesharak. Mes rreshtave të thënieve të tij lexohet açik: “pranë nesh ndodhet një popull sllav që ne e kemi mbajtur nën fre me qindra vjet. Ai është bërë kaq i paturpshëm, saqë kërkon të jetojë më vete dhe vetë ta përcaktojë fatin e tij”. Këtu e ka burimin edhe urrejtja për vendet e Balltikut, për Poloninë, për Çekinë, për Gjeorgjinë dhe përgjithësisht ndaj të gjithëve. “Si qenka e mundur që këto vende të bëjnë pa ne? Atëherë kush qenkemi ne që pa ne, pa dorën tonë drejtuese, dikush mund të jetoka?”.

Saakashvili: historianët kanë për të shkruar se Perandoria Ruse e mbylli ekzistencën e vet në Sheshin Majdan të Kievit. Për fat të keq, në Rusi, nocioni i vetërespektimit dhe i vetëvlerësimit është i lidhur ngushtë me poshtërimin e tjetrit. Rusia asnjëherë nuk ka qenë një vend i vetëmjaftueshëm. Ajo gjithmonë ka pasur nevojë për një armik ose për një skllav për të arritur vetëvlerësimin. Por kjo nuk është gjë tjetër, përveçse kompleks inferioriteti. Por, po të marrim parasysh përcaktimin “tip kriminal” që e ka përpunuar psikiatri italian Çezare Lombrozo, atëherë mund të themi se ai i përshtatet Vladimir Putinit pothuajse në një mënyrë ideale. Sipas Lombrozos, veçoria e parë e “tipit kriminal”, është aftësia për të hyrë “nga porta kryesore”, për t’iu përshtatur natyrshëm gjendjes shpirtërore të çdo lloj grupi. Në këtë mes kemi të bëjmë gjithashtu me tipare të tilla si pabesia, fryma e dyshimit, ndjenja e hakmarrjes, ruajtja e inatit, mungesa e plotë e shpirtmadhësisë, egoizmi i skajshëm, etja për pushtet dhe fodullia e neveritshme, egërsia, pedantizmi (që gjithçka të bëhet ashtu siç i teket atij), natyra gënjeshtare, mbizotërimi i interesave materialo-pushtetore në një formë nga më të vrazhdat, natyra ziliqare, ndryshimet e menjëhershme dhe të furishme të gjendjes shpirtërore prej “keqardhjes” së zjarrtë deri në distrofi dhe natyrë hakmarrëse inatçore, hiperseksualitet, tipare këto që nuk zhduken madje edhe me ardhjen e pleqërisë dhe që shoqërohen me arrogancën në rritje me kalimin e moshës. Veçoria e dytë e “tipit kriminal”, sipas Lombrozos, është mungesa e bashkëpërjetimit, domethënë e mundësisë për ta vënë veten mendërisht dhe emocionalisht në vendin e tjetrit, mungesa e aftësisë për keqardhje, shpërfillja ndaj ndjenjave të tjetrit. Veçoria e tretë e “tipit kriminal” është atavizmi psikologjik (shfaqja e tipareve më negative të pararendësve primitivë) dhe në rastin konkret të Putinit, atavizmi i të menduarit, një atavizëm ky prej çekisti mendjengushtë, një atavizëm i të menduarit totalitar, prostalinist, spiunoman dhe ksenofob. Veç kësaj, situatën e rëndon edhe më shumë fakti që Putini ka zgjedhur rreth vetes njerëz të formimit të tij psikologjik. Pa dyshim që një pjesë e deputetëve të tillë formim ka. Është bërë seleksionimi i gazetarëve dhe kanë arritur “të mbijetojnë” vetëm ata që kanë pranuar t’i thurin lavde “liderit suprem”. Televizioni që ai ka krijuar, e ka degjeneruar një brez të tërë të rinjsh. Gjatë qeverisjes së Putinit u lanë jashtë vëmendjes në një mënyrë kriminale ato mundësi kolosale që Rusia mund t’i kishte shfrytëzuar për të hedhur një hap gjigant përpara në të gjitha sferat. Krejt periudha e qeverisjes së tij do të shënohet në histori si periudha e “turpit të Rusisë”, si koha e dështimit të Rusisë në të gjitha drejtimet. Të gjitha vitet e qeverisjes së tij, janë vitet e turpit të popullit, janë vitet e heshtjes së turpshme, janë vitet e turpit të inteligjencies, e cila, në shumicën e vet, është tërhequr zvarrë para këtij njeriu pa kurrfarë vlere. Në këtë sfond të vështirë, në një mënyrë edhe më heroike, do të perceptohet gjithmonë qëndrimi i popullit ukrainas, i cili arriti të heqë qafe mëkëmbësin e Putinit. Ukraina është shembull për Rusinë, natyrisht, në qoftë se Rusia është e aftë të nxjerrë ndonjë mësim. Gjithsesi, mund të thuhet se profesioni i gjithsecilit ndikon mbi mendësinë e tij. Thelbin e kësaj thënieje e pasqyron fjala e urtë: “Është keq puna kur byrekët i pjek këpucari, kurse çizmet i qep furrtari”. Këtu nuk është halli se këpucari nuk është në gjendje të pjekë byrekë, por halli është se kur njeriu bën diçka, kjo shumë shpesh ngulitet një herë e përgjithmonë në nënvetëdijen e tij që nga mosha e rinisë. Dhe nëse njeriu në rininë e tij ka qenë ushtarak ose çekist, atëherë edhe nënvetëdija e tij ka për të vepruar në këtë drejtim. Prandaj njerëz të tillë nuk e kanë vendin në politikë. Sigurisht që ka edhe shembuj presidencash të suksesshme nga radhët e ish-gjeneralëve, si Sharl de Goli dhe Ajzenhaueri. Por, këto janë më shumë raste përjashtimore. Si rregull, njerëzit e shërbimeve sekrete apo pranë shërbimeve sekrete, nuk janë në gjendje të bëjnë abstraksion në kushtet e një situate konkrete, t’i llogarisin hapat e veta asisoj që të avancojnë dyfish përpara. Pikërisht kjo është arsyeja që, kur në vitin 1999, Putini, në krye të komandës së shërbimeve sekrete, erdhi në pushtet, duke shmangur politikanët e ish-aktivit partiako-ekonomik të Bashkimit Sovjetik, jo të gjithë i ranë në të se çfarë rreziku përfaqësonte për vendin ajo ardhje në pushtet e KGB-së. Si çekistët morën në dorë kontrollin e Rusisë: plani Andropov-Putin. Njerëzit e shërbimeve sekrete, kundërzbuluesit, nëpunësit e gjurmimit politik, për nga formimi i tyre psikologjik, janë shkatërrues, jo ndërtues dhe kjo për faktin se në nënvetëdijen e tyre është ngulitur ideja e shkatërrimit të planeve të kundërshtarit dhe jo ideja për të bërë diçka të dobishme për jetën konkrete. Kurse politika është një zeje ca ndryshe. Ajo është arti i së mundshmes. Në sferën e politikës duhet manovruar, duhet folur, duhet sulmuar dhe tërhequr, duhen drejtuar njerëzit jo fort të aftë që ata të qeverisen, por është halli se në shërbimet sekrete punët janë një çikë ndryshe. Aty nuk është zakon që diçka ta marrësh seriozisht. Në këto struktura përzgjidhen njerëz, të cilët janë gati të heqin dorë nga “uni” i tyre në të mirë të qëllimeve që përcaktojnë shefat e tyre. Në këto struktura paguajnë shumë më tepër sesa në strukturat e tjera. Por, po ashtu, prej tyre kërkohet një varësi e tillë, të cilën është e pamundur ta kërkosh nga njerëzit e zakonshëm. Këtu nuk ka politikë manovrimi, sulmi dhe tërheqjeje. Direktivat përpunojnë mentalitetin përkatës, i cili është i mirë për kryerjen e punëve të shërbimeve sekrete, por që nuk është i përshtatshëm për politikanët. Prandaj njerëzit e shërbimeve sekrete, thjesht profesionalisht, janë të papërshtatshëm për të qeverisur vendin, se politika është gjithmonë në kërkim të kompromisit dhe të drejtpeshimit të interesave dhe të tendencave që janë në kundërshtim më njëra-tjetrën. Madje duke pasur parasysh jo vetëm perspektivën afatshkurtër, por edhe perspektivën afatmesme, edhe atë afatgjatë, si edhe aftësinë për një të menduar efektiv të sistemuar. Njeriu i shërbimit sekret duhet të jetë analist gjakftohtë dhe të mos i shtrojë vetes dhe të tjerëve detyra të parealizueshme. Kurse politikani duhet të kërkojë kompromise të pranueshme mes interesave të ndryshme të njerëzve të ndryshëm. Njeriu i shërbimit sekret Putin, punon “kundër kundërshtarit”, gjatë gjithë kohës luan “një lojë me shumën zero” (në qoftë se unë fitova, atëherë kundërshtari pësoi humbje), kurse politikani duhet të punojë “kundër vetes” dhe në një mënyrë krijuese, duhet të bëjë diçka të re, duhet të luajë “një lojë jo me shumën zero” (kur të gjitha palët fitojnë diçka nëse gjejnë një drejtpeshim të arsyeshëm interesash). Tani të merresh me politikë, do të thotë të punosh me të gjithë popullsinë, kurse shërbimet sekrete punojnë me një rreth të kufizuar njerëzish. Kjo është edhe arsyeja, që ato nuk mund të punojnë me të gjithë popullin dhe kur shërbimet sekrete rrëmbejnë pushtetin, siç ndodhi në Rusi në vitin 1999 (në këtë mes, në të vërtetë, kishim të bënim me një grusht shteti, të kryer në fshehtësi), atëherë vendi merr tatëpjetën. Një gjë është e pakuptueshme, ta zëmë se vetë Putini, rrethi i tij më i afërt ose ata që marrin vendime në emër të tij kanë shkalluar nga trutë dhe e kanë humbur plotësisht aftësinë për ta perceptuar ashtu siç duhet realitetin konkret, por në majat e partisë qeverisëse ka edhe njerëz plotësisht të ekuilibruar dhe mjaft seriozë. Të mos e kuptojnë ata vallë përgjegjësinë e vet për shpëtimin e Rusisë nga katastrofa e tmerrshme që e pret? Mos vallë qenka e pamundur të ndryshohet situata me një përmbysje në majat e pushtetit, siç pati ndodhur këtu e shumë kohë të shkuara, kur disa klane armiqësore në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik u bashkuan për të hequr qafe Berian? Faji më i madh i atyre që nuk i janë kundërvënë putinizmit gjatë 15 viteve të këtij regjimi, qëndron në faktin që u lejua t’i bëheshin trutë ciknë brezit të ri. Tani në Rusi është ngritur një brez me formim të çiltër putinistësh ideologjikë. Si është e mundur t’i riedukosh ata? Se ata, duke iu përgjigjur thirrjes së Putinit për zgjerimin e kufijve “të botës ruse”, janë plotësisht të gatshëm për ta vënë nën këmbë Ukrainën “rebele” dhe madje për ta katandisur botën nën kërcënimin e fillimit të Luftës së Tretë Botërore. Kush mund t’ia pres rrugën sot Putinit në Rusi? Po të flasim pa një patos të tepruar, atëherë mund të themi se në Moskë dhe në Peterburg ka grupe njerëzish që ëndërrojnë ta heqin qafe Putinin. Për hir të një gjëje të tillë, ata janë gati nganjëherë që, në të rrallë, të shtrojnë kurrizin para kamxhikëve të njerëzve të shërbimeve sekrete dhe madje t’i kalojnë 5-10 apo 15 ditë në dhomat e izolimit të hetuesisë. Por, për t’u vetësakrifikuar nuk janë të gatshëm absolutisht. Ata, deri diku, gëzojnë famën e të çmendurve të qytetit, deri diku famën e njerëzve që merren me biznesin e tyre të vogël në politikë. Në tërësi, ata nuk janë shumë. Shumica e tyre kanë një farë prone, kanë një pozitë, kanë familje, kanë pasione etj, por të lënë kokën për bashkëqytetarë që nuk u përshtaten, ata nuk pranojnë në asnjë mënyrë. Çfarë pengesash i nxjerr Putini një moskoviti të nivelit të mesëm? Pse ai për të është diktator? Mos ndoshta ai e pengon të shkojë në vilën që ka jashtë qytetit? Të shkojë me leje në Turqi? Në vendet e Balltikut për festat e muajit Maj? Mos ndoshta ia ka shkyçur internetin? Apo mos çmimet e mishit ia ka ngritur deri në nivele të paimagjinueshme? Prandaj, deri sa të vijë puna te kriza, te kriza e madhe, te kriza serioze (jo si ajo e viteve 2008-2009 ose si e viteve 1990-1991), opozita në Rusi nuk është e aftë të bëjë asgjë. Por, nëse Putini edhe pas kësaj, do t’i vazhdojë trillet me bashkësinë ndërkombëtare dhe do të shkojë me mendimin se nuk do t’ia dijë për sanksionet e saj, atëherë kriza e madhe ekonomike në Rusi ka për ta ngritur popullin më këmbë dhe Putinin ka për ta flakur nga posti i presidentit, siç ndodhi në Ukrainë me Janukoviçin. Natyrisht, tani është vonë të flitet për gjëra të tilla, por sikur Jelcini, gjatë presidencës së vet, të kishte bërë lustracionin në Rusi, atëherë, gjatë gjithë këtyre viteve ish-nënkoloneli i KGB-së Putin do të vazhdonte punën e tornitorit të thjeshtë në SHHA (Shoqatën e Hapur Aksionare) “Uzina Kirov” (se duhej ushqyer familja). Sikur Ruckoi të mos ta kishte çuar acarimin me Çeçeninë deri në skajshmëri, Rusia nuk do ta kishte pasur “fyrerin e saj”, i cili u ngrit në pushtet përmes asaj aventure të përgjakshme. Por nëse rusët janë ende të vetëdijshëm për katastrofën që po u përgatit Putini, atëherë ata duhet të veprojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse sikur në një miting proteste të dalin 2 mijë veta, ata thjesht kanë për t’i përzënë. Kur të dalin 20 mijë, atëherë njerëzit e shërbimeve sekrete do të sillen me respekt ndaj tyre. Por, po dolën 200 mijë, me siguri që diktatorin do ta kapin ethet. Ama nëse në mbarë qytetet ruse do të dalë në protesta 5% e popullsisë, pas kësaj ka për të pasuar ndonjë kërkesë drejtuar Koresë së Veriut, nëse ajo e jep pëlqimin për të pranuar një njeri më një përvojë të madhe pune si fyrer. Duke marrë parasysh të gjitha këto “veçori” të Vladimir Putinit, mund të arrihet në përfundimin se ai nuk kishte nevojë për një program minimum. Nisur nga mentaliteti i tij prej njeriu të KGB-së, ai nuk i bëri mirë hesapet për të gjitha pasojat e fushatës kundër Ukrainës. Dhe çfarë  mbeti si përfundim? 1. Ukrainën nuk e pushtoi dot dhe me të gjithë botën u bë helaq, saqë nuk do të jetë në gjendje asnjëherë t’i rivendosë marrëdhëniet e mëparshme. 2. Me agresionin kundër Ukrainës ai u kalli datën të gjithë atyre që ka pasur rreth vetes deri tani. Pas kësaj nuk do të ekzistojë kurrfarë Aleance Euroaziatike. Kurse ekzistenca e Bashkësisë së Vendeve të Pavarura, është vënë në një pikëpyetje të madhe. Kazakistani, Bjellorusia dhe vende të tjera, nga frika, do të heqin dorë prej tij si prej një njeriu të sëmurë nga murtaja. 3. Ukrainën dhe Gjeorgjinë mund t’i fusin  në gjirin e NATO-s, pa i zgjatur procedurat e pranimit. 4. Para Ukrainës hapet perspektiva reale për mundësinë e hyrjes në Bashkimin Evropian. 5. Rusia do të fillojë të shkërmoqet sepse as Jakutia, as Tatarstani, as Bashkiria dhe të tjerë nuk kanë dëshirë të rrezikojnë të bashkëjetojnë me një president të papërshtatshëm. 6. Nga Kaukazi Putini mund të lajë duart që tani. 7. Vetëm me këtë qëndrim që po mban ndaj Ukrainës, Putini i vuri kazmën pozicionimit pozitiv dhe mirëbesimit ndaj Rusisë të opinionit mbarë botëror për dhjetëvjeçarët që vijnë. Në këtë mënyrë mund të arrihet në një përfundim të thjeshtë: njerëzit rreth Putinit, për të mos përsëritur gabimet e autoriteteve të Ukrainës, e kanë më të lehtë për ta hequr qafe dhe kjo është e vetmja mënyrë për të ruajtur vizat për në vendet e zhvilluara, si edhe kapitalet dhe pasuritë e patundshme jashtë vendit.