Vijojnë sulmet islamike në Israel, vriten dy palestinez

455
Sulmet e ekstremistëve kanë vijuar në shumë zona të Izraelit, edhe pse qeveria ka lançuar një operacion të përmasave madhore për të neutralizuar situatën. Në këtë ndërhyrje janë përfshirë mijëra ushtarë të cilët janë shpërndarë në qytetet më kryesore të vendit. Ata kanë ngritur pika kontroli për të rritur nivelin e sigurisë. Duket se edhe këto masa nuk kanë mjaftuar, pasi zyrtarët e qeverisë kanë njoftuar se do të thërrasin në detyrë edhe 1.400 policë rezervistë që shërbejnë në pikat kufitare.
Sa i përket bilancit të viktimave, bëhet me dije se dy palestinezë janë vrarë në përpjekjet e tyre për të plagosur me thikë dy izraelitë. Një prej tyre u pa teksa sulmonte një grua, ndërsa personi tjetër tentoi të godiste një polic. Autoritetet janë përballur me protesta masive dhe janë detyruar që të përdorin gazin lotsjellës.
Rrugët e shumë qyteteve në Izrael janë bërë të pa sigurta për shkak të sulmveve me thikë. Policia e Izraelit publikoi këtë video ku shfaqen dy të rinj palestinezë duke ndjekur një qytetar izraelit. Pas verifikimeve u mësua se agresorët në fjalë ishin njëri 13 e tjetri 15 vjec.
Shqetësime mbi situatën e rëndë që po kalon vendi ka shprehur edhe sekretari i shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest. Ai tha se Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje liderëve të të dyja vendeve që të gjejnë një zgjidhje për të evituar humbjet e jetëve të pafajshme. Në mbyllje, Earnest bëri me dije se sekretari i Shtetit, John Kerry, ka planifikuar një vizitë në këtë rajon në të ardhmen e afërt, por ende nuk ka një datë zyrtare se kur do të ndodhë një gjë e tillë.
Sigal