VIDEO+FOTO/ 9 vite burg se shpiku kanaçen e famshme të televizorit: Më spiunuan shokët

600
Në ditët e vetë-izolimit total komunist të Shqipërisë, Saimir Maloku përdorte njohuritë teknologjike për të hedhur sytë nga bota e jashtme. Për fatin e keq të tij, teksa ai dhe i ati shihnin televizionin italian, regjimi shihte atë.
Maloku u burgos nëntë vjet më 1976 pasi Sigurimi i vuri përgjues në shtëpi. Katër dekada më pas, ai mund të vizitojë një muze unik në Tiranë dhe ta shohë me sytë e tij pajisjen përgjuese që e tradhtoi.
Në Muzeun e Mbikëqyrjes, krijuar në ish-selinë e Sigurimit, shqiptarët mund të shohin disa nga pajisjet përgjuese të përdorura nga shteti totalitar i Enver Hoxhës si dhe dosjet e mbajtura për shumë prej tyre.
“Deri tani asgjë nuk është bërë për të treguar se si shqiptarët spiunoheshin dhe mbaheshin nën kontroll, ndaj është një hap i mirë për të ilustruar historinë e spiunimit, viktima të së cilës ishim”, thotë për Reuters Maloku, tani 71-vjeçar.
Teksa viziton muzeun, Maloku tregon se si dëshironte të ndihmonte babanë e paralizuar duke i zgjeruar programin televiziv përtej katër orëve të zymta në ditë që transmetonte televizioni shtetëror shqiptar.
Me profesion inxhinier elektronik, ai ndërtoi një pajisje që e quajti “kanaçe” për të marrë sinjale UHF nga televizioni shtetëror italian RAI për ta parë në televizorin e tyre.
“Kanaçja hapi një dritare nga Perëndimi për shqiptarët. I bëja falas për shokët, por më vonë mësova se disa prej tyre më kishin denoncuar”, tregon Maloku.
Sigurimi i vuri një pajisje dëgjimi në mur për të mbledhur fakte për të.
 
I njëjti model pajisjeje – dikur i vendosur edhe në shkopin e një fshese për të përgjuar në ambasadën italiane në Tiranë – është shfaqur edhe në një tjetër muzeum për veprimtarinë e ministrisë së brendshme në kohën e komunizmit.
Në epokën e smartphone-ve, pajisjet e Malokut e të Sigurimit duken antike, por në atë kohë e bënë punën e tyre dhe Maloku shkoi në burg, i dënuar për agjitacion dhe propagandë. Kujton se si këndonte këngë të Beatles e Rolling Stones në qelinë e tij nëntokë për të ruajtur mendjen.
Para shembjes së komunizmit, ndërtesa që tani mban Muzeun e Mbikqyrjes njihej si Shtëpia e Gjetheve, një lojë fjalësh që u referohej si mureve të mbuluar nga bimë kacavjerrëse, ashtu edhe “gjetheve” të dosjeve për qytetarët që mbante Sigurimi. Gjatë luftës, ajo ishte përdorur nga Gestapo e forcave pushtuese naziste.
Sigal