VIDEO/ Kultivonin drogë në Spanjë/ Goditet banda shqiptare, në pranga 6 persona

480
Policia spanjolle ka arrestuar 6 shtetas shqiptarë që kultivonin mijëra bimë narkotike. Personat vepronin nën masa të rrepta sigurie në zonën portuale të Alikantes ku administronin një magazinë rreth 3 mijë katrorë.
Sigal

Një organizatë kriminale e drejtuar nga shqiptarë ka rënë në rrjetën e policisë spanjolle.

Operacioni i titulluar “Saksia” çoi të mërkurën në arrestimin e gjashtë shtetasve shqiptarë të moshës 25 deri 45 vjeç dhe një shtetasi spanjoll 45-vjeçar

Si bazë e autorëve shërbente një magazinë e braktisur në zonën industriale të qytetit portual të Alikantes, ku kultivoheshin mijëra bimë kanabisi.

Shtetasit shqiptarë e ushtronin veprimtarinë në një hapësirë 3 mijë metra katrorë.

Dhomat e magazinës ishin të pajisura me aparaturat e duhura elektrike dhe ajruese për kultivim të brendshëm të bimëve narkotike.

Të dyshuarit kishin marrë masa të rrepta për sigurinë, dhe mbikëqyrnin zonën me turne, madje kishin instaluar edhe ndjesorë të lëvizjes për të diktuar prezencën e të huajve afër godinës.

Në objekt, policia sekuestroi një sasi prej 74 kilogramë marijuanë, një çantë me boçe kanabisi, kondicionerë dhe gjenerator elektrik, 1,300 euro në kartëmonedha dhe makineri për paketimin në vakuum të lëndës narkotike.

Energjia furnizohej në mënyrë të paligjshme nga rrjeti elektrik i zonës, ndërsa instalimet dyshohet se ishin kryer nga shtetasi spanjoll.

Vlera e lëndës narkotike të sekuestruar dhe e energjisë elektrike të vjedhur arrinte në gjysmë milion euro.

Image