Veto, Shkupi: Rama deklaratë kërcënuese, pa vlera evropiane

506
TIRANE – Qëndrimi i fortë që kryeministri Edi Rama shprehu kundër Maqedonisë në NATO ka sjellë reagimin e Shkupit zyrtar.
Ministria e Jashtme e Maqedonisë e konsideron bllokadë dhe kërcënim jashtë frymës së vlerave evropiane, deklaratën e kreut të qeverisë shqiptare për t’i vendosur veto Maqedonisë drejt aspiratave të saja integruese, nëse më herët nuk garanton respektimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Bllokadat, kërcënimet për bllokada dhe pretekstet nuk janë në frymën e vlerave evropiane dhe nuk kontribuojnë për stabilitetin e rajonit”, – shprehet Ministria e Jashtme maqedonase në reagimin zyrtar të botuar në mediat vendase.
“Qëllimi strategjik i Republikës së Maqedonisë është që të integrohet në BE dhe në NATO. Kjo është në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, për një të ardhme më të mirë, zhvillim ekonomik, paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon. Bashkëjetesa multietnike dhe respektimi i diversitetit kulturor, etnik, fetar dhe të drejtat e njeriut janë themeli i shoqërisë së Maqedonisë dhe rregullimit kushtetues. Të gjithë ne së bashku jemi të bashkuar për një të ardhme evropiane të Republikës së Maqedonisë. Nevojitet bashkëpunim i sinqertë dhe mbështetje e qartë nga fqinjët tanë dhe partnerët ndërkombëtarë. Të gjitha bllokadat, kërcënimet me bllokada dhe deklaratat për ofrimin e preteksteve kundër anëtarësimit tonë, nuk janë në frymën e vlerave evropiane dhe nuk kontribuojnë për paqe dhe stabilitet në rajon. Republika e Maqedonisë do të vazhdojë të punojë në mënyrë aktive në përforcimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit me të gjithë fqinjët dhe partnerët tanë në interes të përparimit në rajon”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme Maqedonase.
Reagimi i MPJ-së vjen pas deklaratave të kryeministrit Rama se Shqipëria do ta mbështesë pranimin e Maqedonisë në NATO pasi të zbatohet plotësisht Marrëveshja e Ohrit, që garanton të drejtat e komunitetit shqiptar që jeton atje. Po ashtu reagimi lidhet edhe me deklaratën e shefit të diplomacisë ruse Sergej Lavrov se Shqipëria dhe Bullgaria kanë pretendime territoriale ndaj Maqedonisë, që nga Sofja u vlerësua si qëndrim i papërgjegjshëm dhe i papranueshëm i Moskës. 
Sigal