Vetëvrasja masive e 918 njerëzve idealistë

110

Xhonstaun, tragjedia më e madhe  e shekullit të XX në historinë e Amerikës

Masakra e Xhonstaunit, (Jonestoën ) e 18 nëntorit të vitit 1978, apo vetëvrasja masive e 918 njerëzve konsiderohet si tragjedia më e madhe e shek XX në historinë e Amerikës. Gjithashtu, është i vetmi rast kur një kongresmen amerikan mbetet i vrarë në krye të detyrës. Xhonstaun’  mban emrin e krijuesit dhe vrasësit të tij, Xhim Xhons (Jim Jones). Kush ishte Xhim Xhons? Xhim Xhonsi që në rininë e vet  besonte se, kishte lindur për të ndërtuar një botë më të mirë. Ai ishte një njeri që në mendjen e tij ushqente vizionin e një komuniteti komunist në SHBA, krijimin e të cilit e kishte kthyer në qëllim të vetin. Në këtë komunitet të gjithë do të jetonin së bashku në harmoni me njëri-tjetrin, të lumtur, dhe do të punonin për të mirën e përbashkët. Xhim Xhons u martua me Marceline Balduin (në 1949) në një moshë shumë të re, kur qe ende adoleshent. Ajo qëndroi besnike e misionit të tij, deri në momentet e fundit të masakrës së madhe dhe u flijua bashkë me të tjerët. Për të arritur qëllimin e vet Xhim Xhonsit i duhej të bënte një rrugë të gjatë. Kjo rrugë do të kalonte nëpërmjet kishës. Xhim Xhonsi ëndërronte të kishte një kishë të vetën, por një kishë “integruese” , ku të përfshiheshin të bardhët dhe ata me ngjyrë, pa dallim, ide kjo që nuk ishte e parapëlqyer atë kohë. Ai ishte kundër segregacionit. Mirëpo Xhonsit i duheshin pasues besnikë, mbështetës të teorisë të tij dhe zbatimit të saj në praktikë siç e imagjinonte ai. Ai filloi të predikonte fillimisht tek afrikano-amerikanët, që ishin më shumë në nevojë se të tjerët. Përhapte fjalë që kishte veti shëruese për çdo lloj sëmundje, duke tërhequr shumë e më shumë admirues. Brenda dy vjetëve  Xhim Xhonsi arriti të grumbullojë të holla të mjaftueshme për të ndërtuar kishën e tij në Indianopolis , në 1956. Ai e quajti atë me një emër të veçantë: “ Tempulli i Popullit”. Që në emër lihej të kuptohej se, ajo ishte kishë për të gjithë, pa dallime raciale. Xhim Xhonsi ishte udhëheqësi i saj, qëllimi i të cilës ishte plotësimi i nevojave të popullit. Ai ishte një njeri karizmatik që predikonte sakrifica dhe kërkonte besnikëri. Atë kohë kur shumica e kishave ishin të ndara veç për të bardhët, e veç për ata me ngjyrë , “Tempulli i Popullit” ofronte një ide krejt tjetër për shoqërinë. Ai besonte që kapitalizmi amerikan kishte krijuar një balancë të padrejtë në botë, ku të pasurit kishin pasuri më shumë se ç’duhej, dhe të varfrit punonin shumë për të fituar pak. Megjithëse kishë e vogël, “Tempulli i Popullit” bëri disa punë, si hapjen e kuzhinave për të varfrit  ku servirej ushqim për ta, si edhe ndihmonte njerëzit për t’u punësuar. Në 1966, Xhons e lëvizi kishën e tij në Redvvood Valley, një qytet i vogël në veri të Kalifornisë. Ai e zgjodhi pikërisht këtë vend pasi kishte lexuar një artikull, ku ai vend hynte në listën e atyre që nuk kishin të ngjarë të goditeshin nga ndonjë sulm nuklear. Veç kësaj Kalifornia ishte më e hapur , më “mikpritëse” ndaj kishës integruese, se sa Indiana ku kishte qenë më parë. 65 familje e ndoqën Xhim Xhonsin nga Indiana në Kalifornia. Me t’u vendosur  Redvvood Valley, “Tempulli i Popullit” filloi të ndërtonte shtëpi për pleqtë si edhe ata me sëmundje mendore. Kjo punë filloi të lëvdohej në gazetat lokale, kryesisht nga politikanët. Në këtë fazë Xhim Xhonsi shpejt filloi të mendonte ta zgjeronte kishën e tij në një vend jashtë SHBA, që të ishte plotësisht nën kontrollin e tij, pa asnjë farë influence nga Qeveria amerikane. Njerëzit besonin se ai kishte një ide të qartë se çfarë ishte e nevojshme të ndryshohej në SHBA. Por shumica prej tyre nuk e dinin që Xhim Xhonsi kishte një karakter kompleks, mbi të gjitha të pabalancuar.

Droga, pushteti dhe paranoja.

Nga jashtë Xhim Xhonsi dhe ndjekësit e tij dukeshin si një sukses interesant, e megjithatë nga brenda  kisha po transformohej në një kult në qendër të të cilit ishte Xhim Xhonsi. Pas vendosjes në Kaliforni, Xhonsi e transformoi frymën religjose të tempullit në atë politike. Xhonsi u bë madje edhe më shumë komunist. Hierarkia e kishës u betua jo vetëm për besnikëri ndaj Xhim Xhonsit, por mbi të gjitha ndaj posedimit material dhe atij monetar. Madje firmosën për t’i vënë fëmijët e tyre nën kujdestarinë e tij. Xhonsi u dashurua me pushtetin. Ai kërkoi që gjithkush t’i thërriste atij “baba” . Më pas filloi ta përshkruante veten si Krisht,  dhe në vitet e fundit  si Zoti, vetë. Xhons mori nën posedimin e tij drogë në një masë të madhe. Fillimisht këtë e gjykonte  si një mundësi që do ta ndihmonte për t’ia dalë shumë punëve. Mirëpo droga me kalimin e kohës ndikoi paqëndrueshmërinë e sjelljeve e qëndrimeve të tij. Ndërkohë, shëndeti nisi t’i degjenerojë dhe Xhonsi filloi të vuante nga paranoja. Ai vuante nga fiksimi se e gjithë Qeveria amerikane ishte në ndjekje të tij, veçanërisht CIA-ja dhe FBI-ja. Ky qe momenti kur ai vendosi ta shpërngulte  kultin jashtë SHBA-ve, në Guyana, në Amerikën e Jugut.

Vendosja në  Guyana

Në Guyana, Xhim Xhons mori me qira nga qeveria e vendit, një territor thellë në xhungël që i përshtatej interesave të tij. Në vitin 1973 filloi puna për pastrimin e xhunglës  dhe ngritjen e fshatit të të barabartëve e të lumturve, apo komunës socialiste. Ndërtimi i fshatit mori disa vite pasi të gjitha pajisjet dhe mjetet e punës duheshin sjellë me anije në Xhonstaun. Në 1977, kishte vetëm 50 veta që banonin  aty, por me t’u marrë vesh që media kërkonte t’i bënte një ekspoze komunës së tij, Xhim Xhonsi solli urgjentisht qindra njerëz  në Xhonstaun.

Vetëvrasja masive

Me ardhjen e tyre në komunën utopike në xhungël, në Guyiana, kontrolli i Xhonsit mbi ta u bë i plotë dhe përfundimtar. Tek shumë anëtarë të kultit u bë e qartë se askush s’mund t’i ikte pushtetit të Xhonsit. Komuna nuk qe parajsa e premtuar, në të kundërt, një zhgënjim. Sa kohë që nuk ishin ndërtuar ende shtëpi për gjithsecilin, njerëzit u dyndën duke i populluar ato që ishin, tej kapacitetit. Në shtëpia, çiftet nuk jetonin më së bashku, por të ndarë. Nga nxehtësia e madhe dhe lagështia  njerëzit ranë të sëmurë. Atyre u kërkohej të punonin deri 11 orë në ditë. Nga ana e tij edhe Xhim Xhonsi kishte ndërruar për keq si karakter. Nga altoparlantët dëgjohej zëri i tij që komunikonte me ta, ditën  madje  edhe natën,  kur njerëzit të lodhur përpiqeshin të flinin. Megjithëse kishte mjaft që u pëlqente të banonin në atë kompleks, kishte të tjerë që dëshironin ta braktisnin. Por ikja nuk ishte gjë e lehtë pasi vendi qe rrethuar nga xhungla dhe nga rojet e armatosura të Xhim Xhonsit. Të dilje nga kompleksi duhej t’i merrje leje Xhonsit, dhe ai nuk donte t’i ikte askush. Kur familjarët e të”ngujuarve” në xhunglën komuniste të Xhim Xhonsit, dëgjuan “thashetheme” se, gjendja atje ishte dëshpëruese u shqetësuan dhe e  çuan zërin e tyre në Qeveri. Kërkonin të hetohej situata atje, të bëhej diçka. Në këto kushte kongresmeni Leo Ryan vendosi të ndërmerrte një udhëtim në Guiana për të vizituar Xhonstaunin. Kjo vizitë e një përfaqësuesi të qeverisë ndezi frikën dhe dyshimin tek Xhim Xhonsi se kishte një konspiracion qeveritar kundër tij me qëllim për ta likuiduar atë dhe Tempullin e Popullit

Vizita e kongresmenit Rajen në Xhonstaun

Rajen(Ryan) përfaqësonte Kaliforninë në Kongresin amerikan. Në vizitën e tij në Guiana ai mori me vete këshilltarin e tij, një grup xhirimi nga stacioni televiziv NBC si edhe një grup njerëzish që kishin familjarët e tyre në Xhonstaun dhe ishin në merak për ta. Në fillim çdo gjë u duk OK. Gjithsesi, në mbrëmje gjatë darkës së shtruar dhe valëzimit  dikush kaloi  fshehurazi një letër  tek një nga anëtarët e grupit të xhirimit televiziv. Në letër ishin shënuar emrat e disa  njerëzve që kërkonin të largoheshin nga Xhonstauni. Kjo bëri të qartë se aty kishte njerëz që mbaheshin me forcë, kundër dëshirës së tyre. ditën tjetër, në 18 nëntor 1978, kongresmeni Rajen deklaroi se, ai ishte gati të merrte me vete  këdo që dëshironte të kthehej sërish në SHBA. Por, të trembur nga reagimi i Xhim Xhonsit vetëm pak njerëz pranuan ofertën e kongresmenit. Kur erdhi koha e largimit, ata që kishin thënë se dëshironin të ktheheshin në SHBA, hipën në një kamion së bashku me grupin shoqërues të kongresmenit. Nuk kaloi shumë dhe kongresmeni që kishte ndenjur disi më pas, për tu bindur që s’kishte lënë njeri tjetër që dëshironte të vinte me të, u sulmua nga një anëtar i “Tempullit të Popullit” . Kongresmeni shpëtoi dhe u hodh në kamion. Ky incident bëri të qartë që grupi i vizitorëve ishte në rrezik. Makina arriti në aeroport, por përpara nisjes së avionit, aty mbërriti  edhe një automjet  me grup njerëzish të ardhur nga Xhonstaun. Ata kërcyen nga automjeti dhe filluan të shtinin mbi grupin e kongresmenit. U vranë pesë veta duke përfshirë këtu edhe vetë kongresmenin Rajen.  Shumë të tjerë u plagosën rëndë. Në Xhonstaun, Xhim Xhonsi u tha ithtarëve të vet se kishte ndodhur një sulm kundër grupit të kongresmenit në aeroport dhe qeveria amerikane me siguri do të reagonte ndaj ngjarjes ,gjë që do të thoshte se, Xhonstauni ishte në rrezik. Ai u tha gjithashtu që, njerëzit e qeverisë do të parashutojnë, do të shtinë e do të vrasin edhe fëmijët e do të torturojnë njerëzit madje edhe pleqtë. “Ne s’mund ta durojmë këtë”, –tha ai. Xhonsi i bindi njerëzit se e vetmja rrugë dalje nga kjo gjendje ishte  të ndërmerrnin aktin “revolucionar” të vetëvrasjes masive. Një grua u ngrit kundër kësaj ideje, por Xhonsi i shpjegoi arsyet se përse duhej bërë kjo, dhe atëherë askush tjetër nuk e hapi më gojën, në të kundërt folën kundër gruas. Kur u njoftua që kongresmeni Rajen, ishte vrarë, atëherë  Xhim Xhonsi  filloi t’u thërriste të gjithëve të përshpejtonin. U përgatitën “pije me cianide dhe valium, përzier me lëng rrushi dhe kazanë të mëdha të mbushura me to u vendosën në ambiente të hapura. Foshnjat dhe fëmijët e vegjël ishin të parët që do të flijoheshin. Për ta u përdorën shiringa e me të cilat ua derdhnin helmin në gojë. Pastaj nënat pinin nga helmi i përgatitur. Pas tyre vinin të tjerët. Ndërkohë “rreshti i parë” i anëtarëve të kultit kishte vdekur ndërsa u vinte radha të dytëve. Nëse kishte ndonjë që nguronte , do i ndodheshin pranë rojet me armë për t’i “inkurajuar”. Koha e vdekjes zgjaste pesë minuta. Në atë ditë të 18 nëntorit të vitit 1978, 912 njerëz vdiqën nga helmi, të vetëdijshëm se ç’po bënim. Ndër ta kishte 276 fëmijë. Xhim Xhonsi, i fundit, preferoi të vdiste nga  një plumb në kokë, por nuk është ende e qartë nëse ishte ai që vrau veten apo urdhëroi dikë tjetër ta bënte atë. Vetëm një grusht njerëzish mbijetuan duke u fshehur në xhungël. Vdekja atë ditë si total mori 918 njerëz. ky qe kolapsi i misionit komunist dhe kultit të Xhim Xhonsit që, shkaktoi mbi 900 viktima, të gjithë ithtarët e vet.

Përktheu: Albana M. Lifschin