Vetëvendosje: Vendi duhet të shkojë në zgjedhje, qeveria të japë dorëheqje

603
Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se qeveria “Haradinaj” duhet të bjerë edhe formalisht, pasi sipas tyre kjo qeveri ka rënë edhe moralisht edhe me numra.
Vetëvendosje përmes një njoftimi për media, ka theksuar se Kuvendi i Kosovës tash e sa kohë është bllokuar nga deputetët e koalicionit qeverisës që nuk e lejojnë vendimmarrjen dhe zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.
“Bllokimi i seancës së sotme të Kuvendit nuk ishte rasti i parë, por një praktikë e përsëritur rëndomtë që prej fillimit të vitit 2018. Deputetët e koalicionit qeverisës bëjnë numra akrobatikë në Kuvend gjatë votimeve për të prishur kuorumin, sepse koalicioni qeveritar thjesht nuk i ka numrat e votave në Kuvend për ta mbajtur veten në pushtet”, thuhet në njoftimin e VV-së.
VV ka theksuar se ky koalicion ka rënë tashmë edhe moralisht edhe me numra në Kuvend dhe mbahet në pushtet me zor dhe padrejtësisht.
“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Çdo vonesë në këtë drejtim e rëndon gjendjen politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Demokracia është zgjidhja. Qeveria duhet ta japë dorëheqjen!”, thuhet në njoftim.
Sigal