Vetëm të hënën 4500 klandestinë kaluan kufirin për në Maqedoni

503
Pavarësisht përforcimit të kufirit me barriera me tela me gjemba dhe mbylljes për disa ditë, fluski i emigrantëve në Maqedoni nuk është reduktuar aspak. Punonjësit e ndihmës dhe klandestinët e grumbulluar në Tabanovce të Maqedonisë, deklarojnë se 4 mijë e 500 klandestinë kanë arritur vetëm të hënën, një shifër rekord kjo e regjistruar gjatë këtij viti. Në përkëqësimin e situatës ka ndikuar shumë mbyllja 5 ditore e kufirit me Greqinë dhe protesta e fermerëve dhe taksistëve në të dy anët e kufirit. Kjo krijoi një ngadalësim të transportimit të klandestinëve, ku dhjetëra autobusë qëndruan të bllokuar për ditë me radhe në disa pika karburantesh, në kushte të vështira, pa ushqim dhe pa strehim.
Grupet e para të mëdha të cilat janë lejuar të hyjnë në Maqedoni u dërguan me trena në Tabanoc, fshat maqedonas në kufi me Serbinë.
“Kemi ndenjur pesë ditë në Greqi dhe shumica e klandestinëve i kanë shpenzuar të gjitha kursimet e tyre. Megjithatë, me mirë të vdes në kufi se nga bombardimet apo nga luftimet me njeri tjetrin, thotë Ahmed Tahir“, nga Damasku i Sirisë.
Teksa luftimet në Siri vijojnë, agjencitë e ndihmave besojnë se fluksi nuk ka gjasa të bjerë, përkundrazi në pranverë presin të rritet me përmirësimin e kushteve të motit.
Sipas tyre në maj dhe prill fluksi do të rritet në mënyrë drastike. 60 mijë klandestinë kanë kaluar në Maqedoni vetëm në janar, për të vijuar më pas udhëtimin në perëndim dhe veri të Europës.
Sigal