Veseli fton opozitën në debat: Askush nuk dëshiron të shesë apo të japë asnjë copë tokë të Kosovës

56
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, dërgoi mesazhe ofruese për opozitën në Kosovë, duke i ftuar për të biseduar në Kuvend. Sipas tij, dy marrëveshjet, ajo për Demarkacionin dhe për `Bashkësin e komunave serbe` nuk janë të përfunduara.Në emisionin ‘Monitor’ në RTK, ai theksoi se mund të bisedohet në mes të pozitës dhe opozitës, pa i detyruar njëri-tjetrin t’i pranojnë konceptet e njëres palë apo tjetrës.
Sipas tij, opozita, nuk po lejon as ngritje të debatit për këto dy marrëveshje dhe kjo për të është shumë e habitshme.
“Asnjë deputet i Kosovës nuk dëshiron të shesë apo të japë asnjë copë tokë të Kosovës. Cështja e Demarkacionit është në proces dhe asgjë nuk ka përfundur. Fare mirë mund të krijohet një komision, ku do të kishim edhe ekspertë ndërkombëtarë dhe figurat tona më prominente të fushës do të merrnin pjesë në komision. Të verfikohet cdo gjë. Por një propozim i tillë nuk është bërë. Në vend të tyre kemi akuza të rënda për tradhëti, që unë e vlerësoj se është shumë e rëndë dhe e shëmtuar”, tha Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, duke shtuar se deri më tani Demarkacioni nuk është kontestuar me fakte në aspektin profesional, duke përdorur fakte si tapitë dhe dokumentacionet e tjera.
Ndërsa për pjesën e marrëveshjes tjetër për krijimin e Bashkësive të komunave serbe, kryeparlamentari Veseli, tha se duhet pritur që fjalën e fundit ta thotë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
“Është krijuar një opinion sidomos tek ndërkombëtarët që shqetësimet e opozitës nuk janë këto marrëveshje”, pohoi Kryeparlamentari Veseli.