Venezuelë, të shtunën opozita fillon protestat në të gjitha qytetet

47
Opozita në Venezuelë po u bën thirrje mbështetësve ta vazhdojnë protestën. Qeveria ka urdhëruar ndërkohë ndalimin e demonstratave deri ditën e martë. Këtë të diel, qeveria planifikon të votojë për krijimin e Asamblesë Kushtetuese që do të ndryshonte dokumentin themeltar të vendit. Ka pasur pothuajse përplasje të përditshme ndërmjet forcave qeveritare dhe demonstruesve. Këtë të diel do të votohet për një Asamble Kushtetuese, e cila do të ketë detyrën e ndryshimit të kushtetutës. “Ne jemi shumica. Kemi komunitetin ndërkombëtar në anën tonë. Kemi të drejtën dhe nuk do të dorëzohemi. Prandaj e sigurojmë popullin e Venezuelës se do të fitojmë. Me gjithë kërcënimet e ministrit të brendshëm, nesër do të vazhdojmë të marrim të gjithë vendin, ashtu siç morëm Karakasin. I gjithë populli do të dalë në rrugë për të konfirmuar se nuk do të përulemi dhe se do të luftojmë”, tha deputeti i opozitës, Freddy Guevera. Presidenti Nicolas Maduro i bëri thirrje opozitës të ndalë rebelimin, si dhe denoncoi Shtetet e Bashkuara për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj 13 individëve të lidhur me qeverinë venezueliane dhe me kompaninë shtetërore të naftës, PDVSA, si një formë presioni për anulimin e votimit për Asamblenë e re Kushtetuese.