Vdes në burg lordi meksikan i drogës

411
Sigal

Lordi meksikan i drogës, Hector Beltrán Leyva ka vdekur pas një sulmi në zemër në burg.

56 vjeçari u transferua nga burgu në një spital por nuk arriti të shpëtonte, thanë zyrtarët e qeverisë.

Ai ishte një nga katër vëllezërit që udhëhoqën kartelin e drogës me të njëjtin emër, i cili ishte i njohur për rivalitetin vdekjeprurës me kartelin Sinaloa të udhëhequr nga Joaquín “El Chapo” Guzmán.

Leyva, i fundit i vëllezërve që kryesoi kartelin, u arrestua në tetor 2014.

Zyrtarët e burgjeve thanë se transferuan Beltrán Leyva nga një burg me siguri maksimale, ku vuante dënimin, në një spital në qytetin e afërt të Tolucës sapo vunë re se ai po vuante nga dhimbjet në gjoks.

Ai po përballej me akuza për trafikim të marijuanës, heroinës, kokainës dhe metamfetaminës.

Hectori mori drejtimin e kartelit ‘Beltrán Leyva’ pasi vëllai i tij Arturo u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë meksikane në 2009.

Dy vëllezërit e tjerë, Alfredo dhe Carlos, janë në burg.

Vëllezërit Beltrán Leyva ndërtuan një sindikatë të fuqishme në Sinaloa, që më vonë u zgjerua në Meksikë.

Karteli i tyre kontrolloi shumë nga rrugët e kontrabandës së drogës nga Meksika në Shtetet e Bashkuara.