Vdes kreu i inteligjencës ushtarake ruse Igor Korobov

414
Sigal

Kreu i agjencisë së inteligjencës ushtarake ruse GRU, gjenerali Igor Korobov, ka vdekur në moshën 62 vjeçare.

Korobov u nda nga jeta pas një sëmundje të gjatë dhe të rëndë, tha Ministria e Mbrojtjes ruse.

Deklarata mbi vdekjen e tij u publikua rreth orës lokale 02:00 të mëngjesit të së enjtes.

Korobov mori postin e tij në krye të GRU në vitin 2016 dhe drejtoi operacionet kundër forcave terroriste në Siri. Në vitin 2017, ai u nderua me titullin Hero i Federatës Ruse, nderi më i lartë i shtetit.

Ai filloi karrierën e tij ushtarake në fund të viteve 1970, duke shërbyer në Forcën Ajrore Sovjetike përpara se të zgjidhej për t’u bashkuar me degën e inteligjencës ushtarake.

Korobov u fajësua se ishte pas helmimit të ish agjentit të dyfishtë ruso-britanik, Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Salisbury, si dhe sulmet e supozuara gjatë zgjedhjeve presidenciale në vitin 2016.