Sigal

Nëse dikush kujton se çështja e Kacifas ka mbaruar me thirrjet anti- shqiptare të disa javëve më parë, atëherë ai/ajo është i gabuar.

Më 8 dhjetor në fshatin e vogël të Bularatit në Gjirokastër, pritet që të vijnë qindra grekë me rastin e mbushjes së 40 ditëve nga vrasja (varrimi) e Kostandinos Kacifas.

Një njoftim i bërë në rrjetet sociale nga shoqëria e Shën Athanasit Voularati pritet që të sjellë në Bularat qindra nacionalistë grekë, që ashtu sikurse herën e kaluar, mund të sjellin me vete flamuj e thirrje anti- shqiptare.

Më 8 dhjetor në orën 11 në kishën e fshatit, do të zhvillohet një meshë në nder të ekstremistit Kacifas, i cili u vra më 28 tetor gjatë një shkëmbimi zjarri mes tij dhe forcave speciale RENEA.

Në ditën e varrimit të tij në Bularat erdhën nga Greqia qindra qytetarë, nacionalistë e deri tek përfaqësues të partisë neonaziste greke Agimi i Artë, për të nderuar me thirrje anti- shqiptare e për “Vorio- Epirin” Kacifasin. Që nga ajo ditë Shqipëria përmes Ministrisë së Brendshme shpalli non grata disa pjesëmarrës, por mbetet për t’u parë nëse më 8 dhjetor, ata që nuk janë të mirëpritur në Shqipëri do të mund të hyjnë apo jo në territorin vendas.