Vazhdojnë protestat në Irak

175

Në Irak protestuesit dogjën goma në tre ura të qytetit jugor të Nasiriyah-it të shtunën, pavarësisht njoftimit të kryeministrit se do të dorëhiqet.

Njoftimi i Adil Abdul-Mahdi-t të premten erdhi pasi kleriku i lartë shiit në Irak bëri thirrje për ndryshim të udhëheqjes në vend.

Vendimi u prit me festime në sheshin Tahrir të Bagdadit, megjithatë demonstruesit thanë se do të vazhdojnë të mblidhen në shesh.

Parlamenti i Irakut pritet të zhvillojë një seancë urgjente të dielën për të diskutuar rreth krizës.

Të paktën 400 vetë janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur prej fillimit të protestave antiqeveritare më 1 tetor.

Demonstruesit kërkojnë t’i japin fund korrupsionit qeveritar dhe asaj që ata e quajnë si ndikimin në rritje të Iranit në çështjet e brendshme.