Vals: Franca do të jetë në gjendje të jashtëzakonshme deri kur të shkatërrohet ISIS

448
Kryeministri Manuel Valls, ka deklaruar se gjëndja e jashtëzakonshme në Francë do të vazhdojë deri në shkatërrimin e plotë të Shtetit Islamik.
Sipas tij, kjo është zgjidhja e vetme për të parandaluar incidente tragjike të ngjashme me sulmet e 13 nëntorit të vitit të shkuar.
Nën këtë gjëndje autoritetet kanë të drejtë që të kryejnë bastisje shtëpie dhe arrestime pa patur nevojën e një mandati nga gjykata, gjithmonë në rast se do të kenë dyshime të arsyeshme.
Gjithashtu, lejet e protestave mund të mos jepen në raste të caktuara. Parlamenti deri më tani ka miratuar gjëndjen e jashtëzakonshme për tre muaj, por nuk dihet nëse përfaqësuesit do të kryejnë një proces votimi për t’a zgjatur këtë afat.
Në një intervistë eksluzive për BBC, Valls ka folur edhe për krizën e emigrantëve.
Ai nënvizoi se pavarësisht përpjekjeve të Europës, jo të gjithë refugjatët që lënë shtëpitë e tyre për shkak të luftës, mund të strehohen në kontinentin e vjetër.
Sipas tij, zgjidhja duhet të vijë në një mënyrë tjetër. “Fillimisht duhet të gjejmë një zgjidhje për Sirinë dhe Irakun. Duhet të shkatërrojmë Shtetin Islamik dhe duhet gjithashtu që Siria të kalojë përmes politik që mund të kërkojë kohë.” Ishin fjalët e tij.
Më pas, Kryeministri pyetet nga gazetarja se ku do të shkojnë ndërkohë 2.000 refugjatë që mbërrijnë çdo ditë në Europë.
Ai thotë se për këtë problem duhet bashkëpunuar me Jordaninë, Libanin dhe Turqinë, për të ngritur qëndra të përkohshme strehimi.
Në mbyllje Valls deklaroi se emigrantët që kanë të drejtë azili, do t’a përfitojnë atë, por pjesa e mbetur duhet të kthehet në vendet e origjinës.
Sigal