Uragani “Maria”, zbarkon në Ishujt e Virgjër, pas shkatërrimit në Dominika

395
Uragani “Maria” është ndalur në Ishujt e Virgjër, ndërkohë që stuhia e kategorisë së pestë pritet të zhvendoset më vonë në Porto Riko. “Maria” ka shkaktuar dëme masive në të tjerë ishuj të Karaibeve, që vetëm pak javë më parë janë përballur me furinë e uraganit “Irma”. Autoritetet në Porto Riko kanë nxitur banorët e ishullit të evakuohen menjëherë.

Pas dëmeve të konsiderueshme në ishullin Dominika, Uragani “Maria” ka zbarkuar tashmë në Ishujt e Virgjër, ndërkohë që më vonë pritet të godasë Porto Rikon. Uragani i kategorisë së pestë po lëviz thuajse në të njëjtën rrugë si “Irma”, me erëra që arrijnë një shpejtësi prej 280 km/h. Guvernatori i Porto Rikos i ka kërkuar 3,5 milionë banorëve të ishullit të kërkojnë strehë pasi uragani pritet të godasë territorin rreth orës 08:00, referuar kohës lokale. Ndërkohë zyrtarët kanë ngritur shqetësimin se shkatërrimi i lënë pas nga Irma më herët gjatë këtij muaji, mund ta bëjë edhe më të rrezikshëm uraganin “Maria”. Ka gjithashtu shqetësime se reshjet e dendura të shirave mund të shkaktojnë rrëshqitje dheu në disa zona.

Pamjet e para nga ishulli Dominika tregojnë nivelin e konsiderueshëm të shkatërrimit nga Uragani Maria, teksa ishulli arriti të shpëtonte paq nga Uragani Irma i disa javëve më parë. 90% e godinave janë shkatërruar, lumenjtë kanë dalë nga shtratet e tyre ndërkohë që janë dëmtuar edhe linjat e komunikimit. Ky ishull është shtëpi e 72,000 personave. Dëme ka patur edhe në të tjera ishuj si Martinik dhe Guadelupe, të dy territore franceze, ku autoritetet flasin për kushte tepër të vështira. Rreth 80,000 shtëpi në Guadelupe kanë mbetur tashmë pa energji.

Guvernatori i Porto Rikos, ku stuhia pritet të përplaset, ka nxitur banorët e vendit të evakuohen në mënyrë të menjëhershme në rast se nuk duan të vdesin. Stuhia sipas tij mund të jetë katastrofike dhe shkatërruese, pasi pritet të humbet shumë nga infrastruktura e ishullit.

Maria u forcua nga një stuhi e kategorisë tre në kategorinë më të lartë, brenda vetëm pak orëve. Një faktor në zhvillimin e shpejtë të uraganit është se temperaturat e sipërfaqes së deteve janë anormalisht të larta, kushte që ndikojnë në përshpejtimin e një stuhie.
Sigal