Uragani Irma godet Floridën

571
Uragani Irma preku brigjet e Floridës, në ishujt Key West, pasi u fuqizua përsëri në një stuhi të shkallës së 4, me erëra me shpejtësinë rreth 130 kilometra në orë. 35 milionë njerëz janë paralajmëruar për rrezikun e uraganit, ngaqë priten shkatërrime në disa zona të shtetit jugor amerikan.
Metereologët thonë se Irma është stuhia më e fuqishme në 100 vitet e fundit.
Pas largimit nga Key West, uragani pritet të lëvizë drejt brigjeve perëndimore të Floridës, drejt qytetit të Shën Petersburgut.
Guvernatori i Florida, Rick Scott, e cilësoi Irmën si “një stuhi katastrofike që ky shtet kurrë nuk e ka parë më parë”. Ai u tha të shtunën në mbrëmje banorëve se i gjithë shteti është në gjendjen e emergjencës, duke u bërë atyre thirrje të largohen drejt zonave të evakuimit.
Guvernatori Scott përsëriti thirrjen për infermierët dhe punonjësit e emergjencave që të ofrojnë ndihmën e tyre vullnetare, shumë të nevojshme pas stuhisë.
Më tepër se 75 mijë njerëz e dëgjuan këshillën e guvernatorit dhe shkuan në rreth 400 qendra strehimi. Rreth 76 mijë banesa është njoftuar se nuk kanë energji elektrike. Ngaqë uragani e ndryshoi drejtimin nga perëndimi, banorët e qytetit të Tampës ishin të fundit që shkuan nëpër strehime, pasi më parë mendohej se stuhia atje nuk do të ndjehej shumë.
Kjo është hera e parë në rreth 100 vjet që Tampa goditet nga uragani
Sigal