Uragani i rrezikshëm Maria i drejtohet Republikës Domenikane

579
Shkatërrim, përmbytje dhe një ishull të tërë në errësirë ka lënë pas uragani Maria. Deri tani raportohet për një viktimë në Porto Riko, pasojë e stuhisë që vlerësohet të jetë më e forta që ka goditur këtë territor amerikan në 90 vjet. Pritet që sot uragani të kalojë në det të hapur në pjesën veriore të Republikës Domenikane dhe t’u afrohet ishujve Turks e Kaikos të premten herët në mëngjes.
Porto Riko vazhdon të jetë i goditur prej shirave të rrëmbyeshëm që solli me vete uragani Maria. Si pasojë e stuhisë, zona të tëra janë përmbytur, i gjithë ishulli është pa enegji elektrike dhe të paktën një person rezulton i vdekur.
Maria vlerësohet të jetë stuhia më e fortë që ka goditur territorin amerikan në pothuajse 90 vjet. Në zonat e goditura lëvizja është e pamundur dhe shkalla e rrezikshmërisë është e lartë.
Pritet që stuhia të largohet sot nga Porto Riko dhe qendra e uraganit të kalojë në det të hapur në veri të Republikës Domenikane, banorët e së cilës janë evakuuar.
“Nuk kemi strehë në komunitetin tonë, nuk kemi strehë të sigurta. Asgjë nuk është shumë e vështirë për Zotin dhe e pamundur në këtë botë, ndaj jemi këtu”, thotë Maria Reyes, një e evakuar nga Republika e Domenikane.
Të premten herët në mëngjes uragani Maria pritet t’i godasë ose t’u kalojë pranë ishujve Turks dhe Caicos. Disa njerëz po largohen, ndërsa të tjerë po përgatiten të fshihen gjetkë për t’u mbrojtur.
“Po marr të gjitha masat e nevojshme. Sapo u ktheva në ishull. Shkova në shtëpi të shihja nëse gjithçka ishte e sigurt. Më pas do të shkoj në dyqan të blej ushqime rezervë, mendoj se do të jem mirë”, thotë Tory Deal – banor i Turks dhe Caicos
Uragani Maria ka lënë gjurmë shkatërrimi në pjesë të ndryshme të Karaibeve, duke vrarë të paktën nëntë persona.
Sigal