UNHCR: Nga Serbia në Kroaci kanë hyrë mijëra familje me fëmijë

537
Mijëra njerëz u zgjuan në të ftohtë dhe mjegull të dendur mëngjesin e të enjtes në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë për të vijuar më pas udhëtimin drejt Bashkimit Europian.
Niklas Stoerup Agerup, përfaqësues i UNHCR thotë se 1000 persona kanë hyrë në Kroaci gjatë natës, teksa kufiri u hap në orët e para të mëngjesit.
“Është ftohtë dhe normalisht këta njerëz kanë nevojë për tenda dhe batanije. Ne u kemi siguruar disa mjete bazike dhe ushqime, por sërish nata nuk është e lehtë, bën shumë ftohtë”, thotë ai.
Klandestinët përdorin të gjitha rrugët, shtigjet dhe mënyrat për të arritur destinacionin e tyre.
Nga Serbia, emigrantët hyjnë në Kroaci pastaj në Slloveni, Hungari dhe Austri. Policia serbe tha se nga ora tetë e të mërkurës dhe deri në orën shtatë të së enjtes kanë kaluar kufirin 1200 persona.
Një grup i refugjatësh, të mbledhur rreth zjarrit këndonin këngë për Gjermaninë, destinacioni final për shumë prej tyre.
“Germany, Merkel, ju duam shumë”, këndojnë ata në gjuhën e tyre, duke treguar edhe një foto të Kancelares në një smartfon.
Sllovenia ka kërkuar nga Bashkimi Evropian forca policore shtesë për të menaxhuar fluksin e emigrantëve, teksa në 24 orët e fundit në vendin e vogël kanë hyrë më shumë se 10 mijë emigrantë.
Presidenti i Komisionit, Jean-Claude Juncker, do të mbajë të dielën një takim të jashtëzakonshëm me liderët europiane me në fokus krizën e emigrantëve.
Sigal