Uashingtoni reflekton rreth raportit të shërbimeve të zbulimit

463
Sigal

Me më pak se dy javë deri në
inaugurimin e presidentit të ri, Uashingtoni është ende duke reflektuar rreth
raportit të agjensive amerikane të zbulimit. Në tekstin e këtij raporti
paraqiten akuzat më të forta dhe të detajuara deri më sot se Rusia përdori sulme
kibernetike dhe taktika të tjera për të ndërhyrë në zgjedhjet e muajit nëntor,
që u fituan nga Donald Trump.

Ndërsa bëhen përgatitjet e fundit
për ceremoninë më të rëndësishme të Uashingtonit dhe procesin e transferimit të
pushtetit, vazhdojnë reagimet rreth raportit të agjensive amerikane të zbulimit
se Presidenti rus Vladimir Putin drejtoi një fushatë kibernetike që synonte
nxitjen e fitores së Donald Trump.

“Raporti është shumë i qartë. Më e rëndësishmja, rusët u
përpoqën të ndërhyjnë tek procesi zgjedhor. Sulmi kibernetik që u bë nga rusët
ishte pjesë e fushatës së tyre që pati një preferencë të qartë për rezultatin e
zgjedhjeve,”
 tha
Presidenti Barack Obama.

Presidenti Obama tha se ai e
nënvlerësoi aftësinë e një qeverie të huaj për të ndërhyrë në procesin
demokratik amerikan:

“Rusët synuan të ndërhynin dhe e bënë këtë.”

Presidenti i zgjedhur Donald
Trump u informua të premten për raportin. I pyetur nëse zoti Trump i pranon
gjetjet e raportit, këshilltarja e tij e lartë KellyAnne Conway, i tha kanalit
NBC se Rusia nuk pati sukses dhe se zoti Trump fitoi ndershmërisht dhe
qartësisht. Zoti Trump shkroi vetë në Twitter se raporti i zbulimit deklaron se
nuk pati asnjë lloj prove që sulmi kibernetik të ketë ndikuar në rezultatin e
zgjedhjeve.

Shefat e shërbimeve të zbulimit
dëshmuan javën e kaluar se Rusia nuk ndërhyri në rezultatet zgjedhore, por se
nuk gjykonin dot nëse veprimet e Moskës ndikuan në mënyrën se si votuan
amerikanët.

Ndërkohë, premtimit të zotit
Trump për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA – Rusi mund t’i kundërvihen veprimet
dypartiake në Kongres.

“Nuk ka asnjë dyshim, asnjë, se rusët thyen, sulmuan dhe
vodhën informacione që i përdorën si mjet armiqësor kundër Shteteve të
Bashkuara dhe neve na duhet t’u vendosim sanksione edhe më të forta,”
 tha senatori demokrat, Richard Blumenthal.

“Nuk ka asnjë dyshim që rusët e bënë këtë, por radhës
tjetër mund ta bëjnë iranianët apo kinezët. Këtë herë e pësuan demokratët dhe
nesër do ta kenë radhën republikanët, nëse nuk e ndalojmë këtë,”
 tha senatori republikan, Lindsey Graham.

Rusia
ka mohuar vazhdimisht çfarëdolloj roli në sulmin kibernetik apo nxjerrjen e
informacioneve të burimeve të Partisë Demokrate.