U zhvillua me sukses forumi i parë në Google hangout, “Iniciativat Virtuale për Diasporën”

545
Sigal

Me 20 nëntor 2014 u zhvillua forumi i parë digjital Google Hangout: “Iniciativat Virtuale për Diasporën: “Nga Koncepti në Sukses. Idetë, Sfidat dhe Mundësitë.”  Ky forum u zhvillua me rastin e Javës Globale të Sipërmarrjes në Kosovë 2014 nga Kosova Diaspora. Ky ishte takimi i parë virtual i diasporës nga Kosova me përfaqësues të Qeverisë të Kosovës. Në këtë forum u diskutuan disa nisma inovative për të lidhur Kosovën me diasporën. Panelistët e ftuar ishin: Lorik Pustina, Udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Diasporës, Prishtinë, Kosovë; Ermira Babamusta, PhD, Eksperte për Marrëdhënie Ndërkombëtare, London/New York; Flamur Mavraj, Creative Designer/web-developer, Oslo, Norvegji, Alban Nevzati, Partner Menaxhues i Oda Lab, Zurich, Zvicër; Kosovare Krasniqi, Projekt Menaxhere në Balkan Spring, Norvergji; Mark Kosmo, Ph.D. Drejtor Bordi i MAASBEA (Massachusetts Albanian American Society), Boston dhe Behar Xharra, themelues i KosovoDiaspora.org, Dhaka, Bangladesh. Forumi u organizua nga Liza Gashi, Qëndresa Krasniqi, Albion Curri dhe Behar Xharra. Ana teknike e forumit u realizua nga Albion Curri. Paneli u moderua nga Qëndresa Krasniqi, Projekt Menaxhere e platformës KosovoDiaspora.org. “Kjo iniciativë e parë virtuale e këtij lloji me Diasporën Kosovare kishte për qëllim t’i vë në pah idetë dhe nismat e Diasporës tonë, dhe të identifikonte mënyra të promovimit të këtyre ideve”, tha Qëndresa Krasniqi. Lorik Pustina foli për iniciativën e re të Ministrisë së Diasporës së Kosovës “Diaspora Registry”, për përpilimin e një regjistri të strukturave demografike, numrit të personave me prejardhje nga Kosova dhe lindur në Kosovë, numri që ka emigruar nga Kosova dhe numri i bizneseve, për të krijuar një database të plotë. Këtë nismë e ka përkrahur dhe sportisti Lorik Cana, me një video promovuese. Për të promovuar këtë regjistrim Ministria e Diasporës ka lidhur partneritet me Kosovo Diaspora dhe Përfshirja e Diasporës në Zhvillim Ekonomik. Alban Nevzati foli për Aplikacionin e parë interaktiv “Hirushja” në gjuhën shqipe për të ndihmuar fëmijët shqiptarë të diasporës të mësojnë shqipen. Kosovare Krasniqi foli për projektin e qendrës ICK (Bussiness Development in Kosovo) dhe për bashkëpunimin me Ministrinë e Jashtme të Norvegjisë për iniciativën e re “Balkan Spring”. Mark Kozmo i MAASBESA, foli për propozimin për të promovuar bashkëpunimin profesional midis anëtarëve të diasporës me kolegët e tyre në Shqipëri dhe Kosovë. “Kosovo Diaspora konsideron anëtarët e diasporës si ambasadorë te vendit. Rita Ora, Xherdan Shaqiri, Toni Dovolani, Richard Lukaj janë disa nga ata persona që me sukseset e tyre krijojnë edhe një imazh  pozitiv për Kosovën. Nëpërmjet storieve pozitive të diasporës, KD po ashtu në mënyrë indirekte mundohet të kontribuojë në neutralizimin e imazheve negative që i mbështillen Kosovës në internetit,” tha Behar Xharra, themelues i Kosovo Diaspora.

Valon XOXA

Babamusta: Diaspora është gjithmonë e gatshme të përkrahë çështjet shqiptare

Ermira Babamusta foli për kontributin dhënë në forcimin e lidhjeve diplomatike dhe miqësore midis ShBA-së, Shqipërisë, Kosovës dhe Anglisë, duke folur për disa histori suksesi të bashkëpunimit më diasporën shqiptare. Përmendi bashkëpunimet me Rrënjët Shqiptare në përkrahje të peticionit për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Ballkan dhe Amerikë; takimet me zyrtarët e lartë amerikanë në promovimin e pavarësisë së Kosovës; pjesëmarrjen në organizimet me Konsullatën e Kosovës në New York dhe Vatra; si dhe projekte të tjera. “Diaspora është gjithmonë e gatshme të përkrahë çështjet shqiptare dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e vendlindjes. I jam mirënjohëse Amerikës dhe Anglisë që janë në mbrojtje të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare dhe për miqësinë e fortë me vendet tona,” tha Ermira Babamusta, bashkëthemeluese e Democracy and Unity Foundation (www.DemocracyandUnity.org).

Flamur Mavraj në fund dha sugjerimet e tij mbi projektet e lartpërmendura nga pikëpamja e tij si zhvillues/programues dhe njohës i teknologjisë. Duke u fokusuar kryesisht tek regjistri i diasporës, ku propozoi për një bashkëpunim midis Open Data Kosovo dhe Agjencinë e Statistikave të Kosovës në përdorjen e statistikave sipas planeve të përcaktuara. Diskutoi dhe për mundësinë e “outsourcing” që kompanitë e ndryshme të përballojnë vështirësitë e tyre në mungesë të personave të duhur, si në programim apo dizajn në Kosovë.