U la jashtë garës, kreu i opozitës ruse bën thirrje për bojkot të zgjedhjeve presidenciale

633
Udhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny bëri thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, pasi Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve mori vendimin për ta ndaluar atë të kandidojë.
Komisioni votoi të hënën kundër kandidimit të tij në zgjedhjet e marsit 2018 për shkak të dënimit të tij për akuza kriminale, të cilat blogeri anti-korrupsion dhe pasuesit e ti,j i cilësojnë si të motivuara politikisht.
Vendimi i komisionit erdhi një ditë pasi zoti Navalny deklaroi se kishte mbledhur numrin e kërkuar të mbështetësve në mbarë vendin për të kandiduar për president.
Pas vendimit të KQZ-së të hënën, Alexei Navalny publikoi një video ku u bënte thirrje mbështetësve të tij që të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale.
“E kuptuam që vendimi ishte i mundur, por kemi një plan të qartë dhe të saktë…Deklarojmë një “grevë të votuesve” për aq kohë sa procedura në të cilën na kërkohet të marrim pjesë, nuk është proces zgjedhor”, tha ai.
Zoti Navalny tha se tani ekipi i tij do të bëjë fushatë kundër pjesëmarrjes në zgjedhjet presidenciale, duke shtuar se pjesëmarrja do të ishte “një votë pro mashtrimit dhe korrupsionit”.
Presidenti Vladimir Putin ka njoftuar kandidimin e tij në zgjedhjet e 18 marsit dhe besohet gjerësisht se ai do të fitojë një mandat të katërt si kryetar i shtetit rus.
Sigal