Twitteri, sot në Kongres për hetimet mbi Rusinë

440
Përfaqësues të Twitter-it pritet të flasin sot me anëtarët e komisioneve të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësueve dhe të Senatit në lidhje me hetimet në vazhdim mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit të kaluar në SHBA.
Seancat me dyer të mbyllura janë të ngjashme më ato të zhvilluara më herët gjatë këtij muaji me përfaqësues të Facebook-ut. Këta të fundit kanë rënë dakord tu sigurojnë ligjvënësve informacion mbi 3 mijë reklama të lidhura me Rusinë, që përfshijnë çështje me sfond përçarës social-politik, të vendosura në Facebook.
Komisionet po shqyrtojnë përhapjen e informacioneve të rreme dhe nëse dikush në Shtetet e Bashkuara ka ndihmuar në caktimin e përmbajtjes tek përdorues të caktuar. Në rastin e Twitter-it bëhet fjalë për shqyrtimin e të ashtuquajturave “llogari larva” që krijohen me qëllimin për të përhapur shpejt dhe në mënyrë automatike informacionin.
Takimet me kompanitë e teknologjisë kanë qenë të mbyllura për publikun, por të dyja komisionet e Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat po planifikojnë të mbajnë dëgjesa publike lidhur me përdorimin e mjeteve në internet, në një përpjekje për të ndikuar proçesin zgjedhor.
Përfaqësuesit e Facebook-ut, Twitter-it dhe kompania mëmë e Googel-it, Alphabeti pritet të paraqiten në komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve në tetor dhe komisionin e Senatit në fillim të nëntorit.
Në një raport më parë gjatë këtij viti agjencitë amerikane të zbulimit vlerësuan se Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një fushatë që synonte të ndikonte në zgjedhjet amerikane, me qëllim rritjen e shanseve për fitore të Presidentit Donald Trump, duke dëmtuar fushatën e kundërshtares së tij demokrate Hillari Clintonit.
Presidenti Trump është shprehur skeptik mbi këtë përfundim. Gjatë një deklarate të tij në muajin korrik ai tha se: “mendoj se mund të ketë qenë Rusia, por mendoj se mund të kenë qenë edhe vende të tjera ndaj nuk dua të jem specifik”.
Presidenti, i cili shpesh ka kritikuar mediat, ka përdorur të mërkurën Twitter-in për të sugjeruar se Facebooku sëbashku me kompani televizive dhe disa nga gazetat më të mira në Shtetet e Bashkuara, kanë punuar kundër tij gjatë zgjedhjeve presidenciale.
Sigal