Tusk: Nxjerrja e Greqisë nga Shengeni nuk na e zgjidh krizën e emigrantëve

480
Në një kohë kur shumë prej shteteve të Europës kanë propozuar idenë e përjashtimit të Greqisë nga zona Shengen, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, nënvizon se ky veprim nuk do të sjellë zgjidhjen e krizës së emigrantëve. Gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Tsipras, Tusk deklaroi se për të menaxhuar situatën problematike nevojitet më shumë bashkëpunim. Ai shtoi se qeveria e Athinës duhet mbështetur edhe nga shtetet e tjera të Europës për të përballuar fluksin e azilkërkuesve.

Tusk: “Greqia nuk është përgjegjësia e krizës së emigrantëve, ndaj më duhet të dërgoj një measzh për të gjithë ata që propozuan përjashtimin e saj nga regjimi pa viza, Shengen. Ky vendim nuk do të sjellë zgjidhjen e krizës. Ajo çfarë duhet bërë tani është përmirësimi dhe mbrojtja e kufinjve të jashtëm të unionit. Kjo kërkon angazhimin e Greqisë, por edhe bashkëpunimin e partnerëve të Bashkimit Europian.” Në të njëjtën linjë qëndroi edhe kryeministri, Aleksis Tsipras, i cili gjithashtu se as mbyllja e kufinjve nuk mund të çojë në zgjidhjen e problemit. Sipas tij, një vendim i tillë do të ishte një dështim i projektit europian. Ndërkohë, autoritetet helene njoftuan më herët se kanë ngritur deri më tani katër nga pesë qëndrat e regjistrimit të emigrantëve, pas ultimatumit të dhënë nga BE. Javën e shkuar, Ministrat e Bashkimit Europian i dhanë qeverisë së Athinës 50 rekomandime për të përmirësuar sigurinë kufitare. Në rast se këto kërkesa nuk do të përmbushen brenda dy muajve, atëherë Greqia mund të pezullohet për dy vite nga regjimi pa viza.
Sigal