Tusk-Britanisë: Progres dhe pastaj bisedime për tregtinë e lirë

415
Draft-udhëzimet e Bashkimit Europian për procesin Brexit përjashtojnë bisedimet për tregti të lirë me Mbretërinë e Bashkuar përpara se të bëhet “progres i mjaftueshëm” mbi të tjera çështje.

Dokumenti i prezantuar nga Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk do të duhet të aprovohet nga 27 vendet anëtare.

Të tjera çështje përfshijnë statusin e 3 milionë qytetarëve të Bashkimit Europian që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe 1 milionë britanikëve që jetojnë në BE.
Ndarazi, një tjetër zyrtar i lartë i unionit ka sugjeruar që blloku të menaxhojë çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes pa Mbretërinë e Bashkuar.

Britania nisi zyrtarisht procesin Brexit të mërkurën, pasi kërkoi bisedime të njëkohshme lidhur me kushtet e daljes dhe marrëdhëniet e ardhshme tregtare.

Më tej, drafti kërkon zgjidhje fleksible lidhur me çështjet kufitare të Mbretërisë së Bashkuar me Republikën e Irlandës, qasje të kujdesshme që i jep prioritet një daljeje të rregullt, si dhe parashikon faturën e majme të cilën Britania mund të duhet të paguajë për shkëputjen nga unioni.

Në një konferencë për shtyp, zoti Tusk u shpreh se fillimi i bisedimeve paralele mbi të gjitha çështjet njëkohësisht, nuk do të ndodhë.

Tusk parashikon se bisedimet do të jenë të vështira, të ndërlikuara dhe madje konfrontuese, por unioni nuk do të ndjekë një qasje ndëshkuese.

Tusk do të takohet me kryeministren britanike Theresa May në Londër, më 29 prill, përpara një samiti të BE mbi Brexit, ku May nuk është e përfshirë.
Sigal