Turqia i përgjigjet Kamenosit: S’ke kapacitete për të kuptuar

79

Deklaratat e
ministrit grek të Mbrojtjes bërë nga vija kufitare mes Greqisë dhe Shqipërisë,
ku cilësoi si idiote deklaratat e Presidentit turk Recep Taip Erdogan për
rinegocimin e traktatit të Lozanës për kufijtë mes dy vendeve dhe fyese
deklaratat e Kryeministrit shqiptar për çështjen çame, kanë marrë përgjigjien e
parë nga Ankaraja zyrtare.

Përmes një deklarate të
shkurtër publike, Ministria e Jashtme turke thotë se “ministrit grek të Mbrojtjes
i mungojnë kapacitetet për të adresuar dhe kuptuar me këmbë në tokë zhvillimet
mes dy vendeve”.

“Sjellja dhe deklaratat e ministrit grek të Mbrojtjes, që
mesa duket e ka humbur arsyetimin dhe gjykimin, aq sa së fundmi vlerësoi
organizata të lidhura me akte dhune dhe terrori në Qipro, dëmtojnë përpjekjet
për bashkëpunimin që po përpiqemi të vendosim mes dy vendeve”, thuhet në
deklaratën e diplomacisë turke.

Në fund të reagimit, Turqia fton Panos Kamenos që të
shmangë deklarata të ngjashme në të ardhmen duke ‘u ngritur në lartësinë dhe
përgjegjësinë e detyrës shtetërore që mban’.