Turqia dënon sulmin ajror të Rusisë

491
Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu), ka dënuar me forcë sulmet që Rusia ka kryer më 20 dhjetor në qendrën e qytetit Idlib të Sirisë. Opinionin e tij Çavushollu e ka bërë të ditur me shkrim. Në reagimin e tij shefi i diplomacisë turke thotë:
-“Rusia ka hyrë në Siri nën petkun e luftës kundër DAESH-it. Gjatë kësaj kohe Rusia ka kryer rreth 4 mijë sulme ajrore. Rreth 91% e këtyre sulmeve kanë pasur në shënjestër opozitarët. DAESH-i është forcuar akoma edhe më shumë si rrjedhojë e këtyre sulmeve që bëhen kundër opozitarëve. Rusia vazhdon të vrapojë ende pas ëndrrës për t’ia dorëzuar Sirinë përsëri Esadit dhe në emër të kësaj ajo vret këdo, qofshin këta opozitarë, qofshin civilë, qofshin sirianë. Numri i civilëve që kanë gjetur vdekjen nga operacionet e Rusisë në Siri është mbi 600. Disa organizata të tjerë thonë se kjo shifër është rreth 800. Duam ti bëjmë me dije botës që më shumë se 150 e këtyre viktimave janë fëmijë”.
Në komunikatën e tij Çavushollu përmend edhe vendimin që Këshilli i Sigurimit të OKB-së mori javën e kaluar për Sirinë.
-“Bombardimi që u bëri Rusia civilëve pa iu tharë ende mirë boja e nënshkrimit këtij vendimi është mungesë sinqeriteti, e shprehur kjo në formën më të butë. Rusia shpërfill opinionin publik ndërkombëtar. Duhet që Rusia të heqë dorë një orë e më parë nga marrja në shënjestër e civilëve dhe opozitarëve të moderuar në Siri. Në të kundërtën konflikti në Siri do të zgjasë për vite të tëra. Terrori nuk ka për të mbaruar në këtë vend”, cilësoi Ministri Çavushollu.
Sigal